Përse 10 gushti është nata e yjeve që bien

Prishtinë | 10 Gus 2017 | 15:14 | Nga

Perseidet vijnë në gusht por jo domosdoshmërisht në natën tradicionale të datës 10. Shkenca dhe feja bashkohen në datën kur festohet për shenjtin martir.

Megjithatë, yjësia e Perseideve nuk është e dukshme vetëm në datën 10, madje, këtë gusht, do të ketë më shumë të tillë në netët në vazhdim (12-14)

Çfarë janë yjet që bien?
Në të vërtetë, yjet që bien, quhen Perseide, sepse shihen afër yjësisë Perseo dhe janë meteore. Fenomeni i ‘rënies’ është prej veprimit me atmosferën të pluhurave që lëshojnë lëvizjet e kometës Swift-Tuttle, zbuluar më 1862. Digjen dhe lënë një formë pluhuri në qiell.
Fenomeni është ciklik dhe shihet çdo vit. Romanët e interpretonin si një shi dëshirash. Ishte zoti Priap që i dërgonte për të bërë tokën pjellore.

Përse Shën Lorenci?
Historia flet për fundin tragjik të një diakoni, Lorencit, që qe caktuar të ruante thesarin, të cilin Kisha romake e përdorte për të ndihmuar të varfrit. Ishte koha e Valerianit perandor, kur e kapën. Data 10 gusht e vitit 258. Donin thesarin, jo diakonin. Po ai u tregoi me gisht të varfrit e u tha një të vërtetë të madhe, tejet aktuale edhe sot: “Ja, ky është thesari i Kishës”. Prandaj e munduan me mundimin më të zgjatur, më të keqin, sepse më të ngadalshmin: pjekjen në skarë. Me shpresë se më në fund do të fliste. Po ai, shakaxhi i madh, nga skara e skuqur u tha persekutuesve të tij: “Më ktheni nga ana e majtë, se nga e djathta u poqa”. Është Pajtor i diakonëve, kuzhinerëve, zjarrfikësve (që aso kohe nuk mundën ta shuanin zjarrin mbi të cilin piqej).

Legjenda
Sipas legjendës, Lorenci qan sa herë shikon tokën e lotët e tij bien nga lart në trajtën e yjeve të arta, që këputen nga kupa blu e qiellit të gushtit. Legjenda i quan meteorët e 10 gushtit “Lotët e Shën Lorencit”, duke kujtuar fundin e martirit. E tregon se Lorenci, kur i erdhi fundi, i fali fajtorët e mbeti me sy të hapur fort, që shprehnin atë dhimbje, të cilën zëri tashmë nuk mund ta shprehte. Sy pa lot, të tharë nga zjarri. Prandaj qan vit për vit me lot yjesh, natën kur bota vijon ta kujtojë!

Poezia
E me të, kujton edhe poezinë e poetit të famshëm italian Giovanni Pascoli, titulluar “10 gushti”. Për poetin yjet që bien nga qielli, janë lotët e Shën Lorencit, që dëshpërohet kur shikon, nga lart, se bota vijon të sundohet nga e keqja. Shkruan Pascoli në fund të poezisë së tij pesimiste: “E ti, o Qiell, prej lartësive të botëve tua të paqta (sepse s’e njohin të keqen e as dhimbjen, larg nga mjerimet njerëzore) e resh këtë atom të errët, në hapësirën pa fund, ku vijon të sundojë e Keqja!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme