Përshpejtohet rritja ekonomike në Shqipëri, kontributi kryesor vjen nga turizmi dhe ndërtimi

Prishtinë | 23 Dhj 2022 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes në tremujorin e tretë të vitit, pas ngadalësimit në tremujorin e dytë, duke u ndikuar pozitivisht nga turizmi që nxiti shërbimet, si dhe rikthimi i projekteve të ndërtimit.

Sipas institutit të statistikave INSTAT, produkti i brendshëm bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 4.02 për qind, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2021.

Në tremujorin e dytë rritja me bazë vjetore ishte ngadalësuar ndjeshëm në 2.65 për qind.

Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë kontribut pozitiv ka dhënë tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimor me 1,94 pikë përqindje.

Ndërtimi ka kontribuuar me 0.99 pikë përqindje, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.81 pikë përqindje.

Ndërkohë, artet, argëtimi dhe aktivitete të tjera shërbimi kanë kontribuuar në rritjen ekonomike me 0.65 pikë përqindje.

Negativisht kontribuuan aktivitetet: administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me rënie prej 0.38 pikë përqindje dhe industria, energjia dhe uji me 0.20 pikë përqindje.

Pak ditë më parë, banka qendrore tha se parashikon një rritje ekonomike prej rreth 4 përqind në vitin 2022.

Të ngjashme