Persona të panjohur i kontaktojnë dy qytetarë në Gjakovë, duke u prezantuar rrejshëm si policë ua kërkojnë nga 1 mijë euro

Prishtinë | 20 Gus 2025 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Policia ka njoftuar se në dy raste të ndara, persona të panjohur kanë kontaktuar qytetarët duke iu prezantuar si policë dhe i kanë kërkuar dy personave nga 1 mijë euro “me pretekste të ndryshme”.

“Më datë 19.08.2025, në Stacionin Policor në Gjakovë janë raportuar dy raste të ndara, ku persona të panjohur kanë kontaktuar qytetarë përmes telefonit duke u prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë. Në të dyja rastet, personat e dyshuar kanë kërkuar nga dy viktimat e këtyre rasteve që të paguajnë shumën prej 1000 (njëmijë) euro, me pretekste të ndryshme.”

Rasti është iniciuar si “Prezantim i rrejshëm si person zyrtar” derisa po vazhdojnë hetimet.

“Në konsultim me prokurorin e shtetit janë iniciuar rastet si “Prezantim i rrejshëm si person zyrtarë” dhe rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë përkatëse policore.”

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Nëse qytetarët pranojnë telefonata të tilla apo tentativa të ngjashme, menjëherë të lajmërojnë policinë përmes numrit 192, ose të përdorin aplikacionin “Lajmëro Policinë”.”

Të ngjashme