Përfaqësues të organizatave për persona të shurdhër thanë sot se Kosova ka shumë ligje të cilat janë të aprovuara nga institucionet e vendit për këtë kategori, por fatkeqësisht nuk zbatohen në praktikë.
Në Konferencën për shënimin e Ditës dhe Javës Ndërkombëtare për Personat e Shurdhër, ku merrte pjesë dhe kryeministri Ramush Haradinaj, u tha se një nga problemet e theksuara është mospërfshirja e personave të shurdhër në vendimmarrje.
Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, tha se respektimi dhe fuqizimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.
“Ka shumë ligje të cilat janë të aprovuara nga institucionet e vendit, por fatkeqësia më e madhe është që nuk zbatohen. Shumë mekanizma të tjerë duhen të merren më shumë seriozisht dhe me më shumë këmbëngulësi, sepse këtu bëhet fjalë për jetën e njerëzve nuk bëhet fjalë për një luks por për një përmirësim të jetës”.
“Ne do të jemi në shërbim të juaj me qëllim që të zgjidhim këto probleme. Ju lus që këshilli nacional të drejtohet nga ju”, iu drejtua Kadriu, kreut të Qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u zotua se me qeverisjen e tij nuk do të fokusohen vetëm në krijimin e strategjive për këta persona, por edhe në zbatimin e plotë të tyre.
“Nëse Qeveria e Kosovës ka marr vendim ose ka nisur veprime që iu dedikohen personave me aftësi të kufizuar, nuk guxojnë të mbesin në gjysmë të rrugës, por duhet të mbërrijnë deri te pala”, ka thënë kryeministri, duke vlerësuar se prezenca e tij në këtë ngjarje, respekti që i jep kësaj teme duhet të kuptohet edhe nga të gjithë ata që i udhëheq, si besnikëri në zbatim deri në arritje te secili qytetar i vendit me aftësi të kufizuar, që të kenë përkujdesjen e duhur dhe të jenë të barabartë me secilin qytetar të vendit”, u shpreh Haradinaj.
Ambasadorja e Finlandës, Anne Huhtamkaki, u prezantua në konferencë përmes gjuhës së shenjave. Ajo tha se rezultatet konkrete të bashkëpunimit mes asociacionit të Finlandës dhe Kosovës është fjalori i parë i shenjave.
“Faleminderit shumë që më keni ftuar këtu për të shënuar ditën e të shurdhërve. Në Finlandë ne mundohemi të përfshin personat me aftësi të kufizuar në proces të vendimmarrjes. Rezultatet konkrete të bashkëpunimit mes asociacionit të Finlandës dhe Kosovës është fjalori i parë i shenjave. Dhe një gjë tjetër është se gjuha e shenjave e këtij vendi është pranuar si gjuhë. Projekti më i ri mes Asociacionit të të Shurdhërve të Finlandës dhe të Kosovës është përkrahja e aktiviteteve të shurdhër e për të zhvilluar aftësi shprehëse të personave të shurdhër në Kosovës. Gjuha e shenjave është shumë e rëndësishme për Kosovën në mënyrë që personat që kanë probleme me dëgjim të jetë pjesë e vendimmarrjes”.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini foli rreth zbatimit efektiv të parimit të mundësive të barabarta në politikat dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës, për rezultatet e procesit të ofrimit të shërbimeve në gjuhën e shenjave nga institucionet publike në vend si dhe për eksperiencat e ofrimit të shërbimeve dhe qasjes në informacione nëpërmjet interpretëve profesionistë të gjuhës së shenjave.
Të pranishmëve me një fjalë iu drejtua edhe Enver Kurtalani nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve.