Përveç ngjarjeve të shumta të gëzueshme, viti që po lëmë pas ka sjellë edhe shumë momente të hidhura, siç kanë qenë ndarjet e shumta nga jeta të artistëve, sportistëve, politikanëve dhe figurave të tjera publike shqiptare.
Një pjesë e tyre në moshë fare të re, e një pjesë në përmbyllje të karrierave të suksesshme, ja cilët kanë qenë personazhet që janë shuar përgjatë 2017-së, duke lënë pas krijimtarinë apo kontributin e tyre për Shqipërinë.
Dritëro Agolli
Një ndër emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, u nda nga jeta më 3 shkurt në moshën 85-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë në mushkëri.
Hajrie Rondo
Pasi frymëzoi me historinë e saj të luftës kundër kancerit, aktorja e mirënjohur ndërroi jetë nga e njëjta sëmundje më 9 shtator, në moshë 66-vjeçare.
Françesk Radi
Kantautori i njohur, u shua si pasojë e në hemorragjie cerebrale më 27 mars, në moshën 67-vjeçare.
Aleksandër Lalo
Kompozitori i famshëm u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak më 19 nëntor, vetëm pak pas fillimit të emisionit “C’est la vie”, ku ai ishte pjesë e jurisë.
Mërkur Bozgo
Aktori i famshëm Mërkur Bozgo, u shua më 11 nëntor, në moshën 80-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Adelajda Xhamani
Ndarja nga jeta e gazetares së njohur dhe ish-banores së “Big Brother” në moshën 31-vjeçare tronditi mbarë opinionin publik. Xhamani ndërroi jetë më 29 tetor si pasojë e një ataku kardiak, nga një sëmundje e zemrës për të cilën as ajo vetë nuk kishte dijeni.
Kasëm Trebeshina
Shkrimtari i famshëm ndërroi jetë më 6 nëntor në moshën 92-vjeçare, në Ankara të Turqisë.
Blerta Pepa
Vdekja e artistes së vogël të spektaklit “Gjeniu i vogël” shokoi opinionin publik, pasi 16-vjeçarja ndërroi jetë më 16 maj, gjatë një operacioni në gju, si pasojë e një komplikacioni të rrallë.
Blerim Peci
Aktori i njohur i humorit u nda nga jeta më 9 dhjetor, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë në mëlçi që i mori jetën në moshën 44-vjeçare.
Drita Agolli
Regjisorja e parë femër në Shqipëri dhe aktorja e mirënjohur u shua më 1 nëntor, në moshën 92-vjeçare.
Besnik Kaso
Aktori dhe bashkëshorti i këngëtares Irma Libohova u nda nga jeta më 17 mars, pas një sëmundjeje të rëndë që e mundonte prej kohësh.
Erinolda Isufaj
Gazetarja e emisionit “Stop” u shua në mënyrë tragjike në moshën 24-vjeçare, pas një aksidenti të rëndë automobilistik më 11 nëntor.
Hanife Recani
Këngëtarja e muzikës folklorike u shua më 17 nëntor, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Bubulina Lajçi
Aktorja dhe e bija e aktorit Çun Lajçi u nda nga jeta në moshën 34-vjeçare më 19 dhjetor, për shkaqe ende të panjohura.
Skënder Tafaj
Aktori i njohur është ndarë nga jeta më 4 gusht, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Arlinda Canaj
Gazetarja e njohur u nda nga jeta në mënyrë tragjike më 24 gusht, në moshën 46-vjeçare. Canaj kreu vetëvrasje në kushtet e depresionit./ KultPlus