Personeli i infektuar dhe ai i moshuar komplikojnë funksionimin e Spitalit të Pejës

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Përveç pacientëve të shtrirë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, betejën me COVID-19 është duke e zhvilluar edhe personeli i këtij spitali. Deri tash të infektuar janë rreth 50 veta nga personeli, e për më tepër një infermiere 62-vjeçare ka vdekur nga koronavirusi. Aktualisht të infektuar me COVID-19 dhe jashtë procesit të punës janë 5 mjekë, 15 infermierë dhe pesë punëtorë të shërbimit teknik.

“Stafi mbetet sfidë e vazhdueshme edhe për faktin se ne kemi shërbim 24 orë çdo ditë dhe atë shtatë ditë të javës. Dhe kur një prej personelit bie nga sistemi kjo e krijon në mënyrë zinxhirë problemin në kuptimin se nuk guxojmë me lënë asnjë shërbim pa personel dhe na duhet aty për aty me gjet mundësinë e zëvendësimit”, ka thënë drejtori i Spitalit në Pejë, Skënder Dreshaj.

Sfidë e spitalit në këtë kohë pandemie është edhe mosha dhe gjendja shëndetësore e personelit, pasi jo të gjithë janë pa sëmundje shoqëruese dhe ky fakt, siç thotë Dreshaj, po e komplikon situatën edhe më tepër, raporton KOHA.

E në Spitalin e Pejës, shumica e infermierëve kanë moshën mesatare 60 vjeç. Dhe që të mos rrezikohen, spitali nuk po i lë të punojnë në repartet ku janë të shtrirë pacientët me COVID-19.

“Në plan të veprimit kam paraparë që infermieret që janë në moshë më të shtyme do të punojnë në repartet e veta, ndërsa infermierët me moshë më të re do të merren me rastet që do të pranohen nëpër reparte pacientët me COVID-19”, është shprehur Hidajete Krasniqi, drejtoreshë e Infermierisë.

Moshës dhe sëmundjeve kronike të personelit iu ka shtuar edhe puna pa pushim prej që ka filluar pandemia.

Aktualisht në Spitalin e Pejës po trajtohen 65 pacientë me COVID-19, prej të cilëve 14 janë në gjendje më të rëndë.

Të ngjashme