Për tre vjet të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), prodhuesit nga Kosova, ndonëse jo në nivel të kënaqshëm, kanë rritur eksportin e produkteve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian.
MSA-ja është edhe marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova ka lidhur deri më tani me Bashkimin Evropian.
Kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, është njëra nga bizneset që pas hyrjes në fuqi të MSA-së ka rritur eksportin e produkteve në vendet e BE-së.
Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se MSA-ja ka lehtësuar eksportin e produkteve të tyre për në vendet e BE-së.
“Efektet e kësaj marrëveshjeje kanë qenë shumëdimensionale, fillimisht me uljen e taksës doganore. Ne dy vjetët e para ne kemi paguar taksë më të ulët për lëndën e parë si rezultat i kësaj marrëveshjeje, derisa para një viti ne nuk paguajmë fare taksë për lëndë të parë. Efekti më i madh i kësaj është se ne kemi arritur të depërtojmë në disa vende të BE-së, si në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Belgjikë dhe shumë vende të tjera. Ne gjatë këtyre tre vjetëve kemi pasur një shtrirje të konsiderueshme me produktet tona në këto shtete”, thekson Palushi.
Më hyrjen në fuqi të MSA-së në prill të vitit 2016, bizneseve nga Kosova iu hapën dyert për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh.
Megjithatë, kjo mundësi nuk u arrit të shfrytëzohet nga të gjitha bizneset prodhuese në vend, për shkak të kapaciteteve të ulëta të prodhimit, por edhe cilësisë së dobët të produkteve të cilat nuk i përmbushin standardet e BE-së.