Sot në fshatin Piranë me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe të drejtorëve komunalë u bë përurimi i dy terreneve sportive.
Nëpërmjet këtyre terreneve sportive tani fëmiljët dhe banorët e fshatrave të Anadrinisë mund të luajnë futboll, hendboll, basketboll dhe volejboll në kushte moderne, me ndriçim, zhveshtore dhe banjo për sportistë.
Në një fjalë rasti kryetari Haskuka uroi që nga këto terrene të dalin sa më shumë talentë të sporteve, të cilët do të përfaqësojnë Prizrenin dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Këto fusha do të përdoren nga të gjithë banorët, nën mbikqyrjen e kryetarit të fshatit, ndërkaq për të përkujtuar lavdinë e dëshmorëve të UÇK-së, këtë kompleks sportiv emërtuam me emrin e dëshmorit të kombit “Samidin Latifi””, njoftoi Haskuka.
Ky projekt është realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe ka kosto në vlerë prej 117,936 euro.