Përurohet stadiumi ndihmës në Skenderaj, brenda 6 muajsh edhe 11 të tjerë

Skenderaj | 29 Nën 2018 | 16:23 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi kanë përuruar Stadiumin ndihmës të futbollit në Skenderaj.

Pas përurimit, kryeparlamentari Veseli premtoi përkrahje të vazhdueshme për të gjithë sportistët kosovarë, raporton Ekonomia Online.

“Falënderojmë Federatën e Futbollit dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për këtë investim i cili është i jashtëzakonshëm. Po bëjnë një punë shumë të mirë. Vetë fakti se është një nga 12 stadiumet ndihmëse që do të ndërtohen në Republikën e Kosovës e tregon përkushtimin tonë për sportin, për futbollin. Do të vazhdojmë në këtë mënyrë”.

“Këto stadiume ndihmëse që po ndërtohen, me shumë stadiume të tjera, stadiumi i Prishtinës tanimë është nga stadiumet më simpatik do të thoja që e kemi renovuar. Stadiumi i Adem Jasharit do të jetë një nga stadiumet shumë  të bukur, të cilat do të kurorëzohen me stadiumin më të bukur, i cili do të jetë ndër më të bukurit në Evropë”.

“Futbollistët do t’i përkrahim në çdo formë, jo vetëm me 1 milion euro, por do t’i përkrahim edhe më shumë të gjithë futbollistët, por në të njëjtën kohë edhe të gjithë sportistët”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tregoi se ky investim është bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe me UEFA-n, raporton EO.

“Është një investim që po ndodh në kuadër të bashkëpunimit që kemi me federatën dhe UEFA-n. Është stadiumi i parë që po e inaugurojmë në Skenderaj, sepse kemi dashur të fillojmë nga Skenderaj në mënyrë që 12 klubet e Republikës së Kosovës të jenë pjesë e Superligës, t’ia krijojmë kushtet dhe mundësitë që secila ta ketë një stadium të tillë dhe është një fat i mirë dhe një mundësi e jashtëzakonshme e një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm që e kemi edhe me Federatën edhe me UEFA-n, sepse një pjesë e fondit është nga UEFA, kurse pjesa tjetër do të financohet nga MKRS”.

“Sot e konfirmoj që shumë shpejt, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm do t’i kemi të përfunduara 12 stadiumet për 12 klubet e Superligës”.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi uroi klubin futbollistik “Drenica” për stadiumin e ri ndihmës. Ai tregoi se kostoja e këtij investimi është rreth 460 mijë euro.

“Është një rast me rëndësi për ne që po fillojmë sot me i përuru terrenet që i kemi bërë bashkarisht me ministrinë dhe me komunat. Ky është terreni i parë i cili e përurojmë sot. I falënderoj të gjithë që kanë marrë pjesë në këtë terren. Me punën dhe përkushtimin e tyre, e gëzofshin klubi futbollistik “Drenica”. Është një stadium i cili i plotëson të gjitha kushtet e kriteret.  Flasim për fushë të nivelit të standardit të Evropës. Është hera e parë që një terren i tillë bëhet në Ballkan. Është diçka e re që po ndodh dhe është teknologji e re. Është i kushtueshëm, kosto e  tij është rreth 450-460 mijë euro”.


Të ngjashme