Është përuruar udhëzuesi i parë në gjuhën shqipe për raportimin e personave me aftësi të kufizuara në media, me titull “Personat me aftësi të kufizuara në media”, i përgatitur nga Enver Ulaj dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), raporton Ekonomia Online.
Ky dokument synon të ofrojë standarde profesionale dhe qasje etike për mënyrën se si media i trajton dhe i paraqet personat me aftësi të kufizuara (PAK).
Autori i udhëzuesit, Enver Ulaj, theksoi rëndësinë e këtij botimi dhe sfidat e hasura gjatë raportimit.
“Një dokument që e bëjmë për herë të parë në gjuhën shqipe, për mediat tona në lidhje me raportimin për personat me aftësi të kufizuar. Shtysa e parë që na ka ardhur, idenë për me fillu me të, e kemi pasur një sfidë që kemi gjatë raportimit që lidhen në radhë të parë me qasjen që ka media ndaj personave me aftësi të kufizuar. Media ka një rëndësi të madhe në këtë pjesë të mënyrës se si prezantohet në mediat, në publik ndikon tek mënyra se si qytetarët apo publiku e pranon atë komunitet”, tha ai.
Në këtë ngjarje foli edhe presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, e cila vlerësoi udhëzuesin si një hap të rëndësishëm në sensibilizim dhe profesionalizim.
“Përgëzime Enver, tryeza të shumta ka që organizohen por asnjë udhëzues dhe doracak sikur sot që unë që e konsideroj një epokë të re të zhvillimit dhe të senzibilizimit, jo vetëm për gazetarët por edhe për institucionet vendore, më besoni që kjo nuk është vetëm në Kosovë që mediat i ngatërrojnë teknologjinë pa dashje apo edhe të mos informimit të tyre, jo vetëm në lëvizjen paralimpike por edhe në çështje të ndryshme sa i përket personave me aftësi të kufizuar”, tha ajo.
Udhëzuesi paraqet analiza dhe përmbledhje të qasjeve më të shpeshta të përdorura nga media në raportimin e PAK, duke theksuar se shpesh paraqitjet janë sipërfaqësore, jo të drejta dhe të papranueshme për komunitetin. Në dokument theksohen katër qasje problematike që media vazhdon t’i aplikojë:
Qasja nënçmuese, e cila shfaqet përmes përdorimit të fjalëve fyese, shpesh pa vetëdije ose nga mosnjohja e terminologjisë adekuate. Në raste ekstreme, përfshin edhe satanizimin e personazheve në filma, libra e art.
Qasja mëshiruese, që synon të nxisë emocione dhe paraqet jetën e PAK me keqardhje të tepruar dhe vuajtje të ekzagjeruara.
Qasja ekzagjeruese, ku veprimet e zakonshme të PAK portretizohen si heroizma, si pasojë e paragjykimeve të fshehura apo mosnjohjes.
Qasja injoruese, një fenomen shumë i pranishëm në media, ku personat me aftësi të kufizuara shpesh lihen jashtë intervistave, raportimeve dhe temave të përgjithshme shoqërore.
Udhëzuesi synon të shërbejë si doracak për gazetarët dhe institucionet, duke ofruar standarde të qarta për një raportim të drejtë, dinjitoz dhe përfaqësues për komunitetin e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Ky botim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes mediatike dhe forcimit të rolit të PAK në hapësirën publike.
