Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale nga e cila pritet të mbështeten bizneset, penzionerët, anëtarët e skemave sociale, komunat dhe pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore.
Mjetet për financimin e pakos emergjente, Qeveria në detyrë synon që t’i sigurojë përmes kredisë në institucionet financiare ndërkombëtare dhe emetimit të letrave me vlerë.
Përveç mjekëve sipas pikës 1.6 të vendimit të qeverisë së Kosovës për pakon emergjente rritje në pagë do të marrin edhe të tjerët të cilët punojnë në terren.
Në këtë pikë janë të cekur: Mjekët dhe infermierët, policia e Kosovës, gardianët zyrarët e Shërbimit Korrektues, Zjarrfikësit, Personeli dhe ushtarët e FSK-së.
Këtu mund të gjeni të gjithë ata që përfitojnë nga kjo shtesë në pagë:
Pika 1.6 e vendimit te qeverise
1.6 Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro;