Me rastin e 18 vjetorit të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, në vend të shënimit dhe prezantimit të punës për vitin 2017, është vendosur që ky përvjetor t`i dedikohet jetës dhe veprës së Ganimet Klaiqit i cili ishte pjesë e Bordit të Klubit që nga themelimi.
Musa Sabedini kryetar i këtij Klubi ka thënë se Ganimet Klaiqi mbetet njëri nga personat kyç që dha kontribut të pamohueshëm në avancimin dhe zhvillimin e Klubit. Ganimet Klaiqi ishte gazetar i përkushtuar, njeri që dinte të respektonte të tjerët dhe mbi të gjitha njeri human e njerëzor, shkruan rajonipress.
“Sot është dashur që Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të shënoj 18 vjetorin e themelimit të tij. Ky klub edhe gjatë vitit 2017 ka qenë pjesë e debateve me interes për publikun dhe qytetarët e Gjilanit. Kanë dominuar temat që lidhen me infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën, shërbimet publike etj.”, ka thënë Musa Sabedini.
Por Klubi gjatë vitit 2017 mbeti pa anëtarin e saj më të devotshëm Ganimet Klaiqin i cili u nda nga jeta vetëm fizikisht në maj të vitit 2017.
“Vdekja e Ganimet Klaiqit ka lënë zbrastësirë të madhe në veprimtarin e Klubit dhe ky përvjetor i dedikohet enkas jetës dhe veprës së Ganimet Klaiqit”, ka thënë Musa Sabedini.
Sabedini ka thënë se Ganimet Klaiqi kudo që ka është ndodhur ka punuar për ta avancuar veprimtarinë e Klubit.
“Ganimeti asnjëherë nuk ka prituar që të punojë për Klubin, të jap kontributin e tij edhe kur nuk ndodhej fare në Klub. Kjo na bënë të ndihemi krenar dhe të jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shtuar Sabedini.
“Për gazetarinë kosovare e në veçanti për gazetarinë e Anamoravës humbja e Ganimet Klaiqit është e madhe dhe e pa zëvendësueshme. Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” do ta kujtojë e përkujtojë gjithmonë me krenari e mburrje veprën dhe punën e mirë e të dobishme që ka bërë Ganimet Klaiqi”, ka shtuar Sabedini.
Ganimeti do të mbahet mend gjatë edhe për anën profesionale të tij, për respektin e dashurinë njerëzore që ka treguar ndaj të tjerëve. “Janë të rrallë njerëzit sikurse Ganimet Klaiqi i cili ka punuar me shumë devotshmëri në profesionin e gazetarit, duke dhënë maksimumin nga vetja dhe duke qenë në shërbim të lexuesve e publikut”, tha Sabedini.
Pak biografi për Ganimet Klaiqin
Ai lindi më 26 janar 1965, në Poliçkë të Kamenicës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen në Dardanë, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë, si dhe studimet e nivelit master i ka mbaruar në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Klaiqi gjatë vitit shkollor 1993/1994, ka punuar si arsimtar i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, në shkollën fillore “Abdullah Krashnica”, në Preshevë.
Më 1997 kishte nisur punën si korrespondent në të përditshmen “Koha Ditore”.
Pas përfundimit të luftës, në institucionet e përkohshme ka punuar një vit si shef i Zyrës së Informacionit në Kamenicë. Gjatë kësaj kohe është marrë me shkrime të ndryshme, në prozë e poezi. Në vitin 2000 i është rikthyer gazetarisë ku ka vazhduar deri më 2015, ku në të njëjtën kohë filloi ligjërimin edhe në UBT, për të vazhduar këtë punë deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Disa orë para se të vdiste, ai la një porosi për institucionet, gazetarët dhe studentët e tij:
“Të nderuar miq, profesorë, gazetarë, familjarët e mi të dashur, vëllezër e motra, që më rrini pranë në këto ditë të vështira për shërimin tim. Lajmet nga shoqëria po vinë si bombë e kurdisur, pa rrugëdalje, për shkak të mendësisë del të jetë primitive, sepse sulmet ndaj mendimit të lirë janë sulme ndaj vetë historisë njerëzore. Edhe në organizimet më të vjetra liria e shprehjes ishte dhe mbeti bosht i demokracisë. Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë, ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam!!”.
Më poshtë po japim disa nga momentet e shumta ku Ganimet Klaiqi shfaqet ose në debatet e Klubit ose në përvjetorët e përbashkët që Klubi i organizonte për çdo vit.
Ndryshe, “Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi, ka organizuar dhe mbajtur mbi 200 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse”, thotë Musa Sabedini.
Musa Sabedini ka përkujtuar se ky Klub për këto 18 vite ishte në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin, duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.
Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tashmë janë bërë 18 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet.
“E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2017 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit, Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës”, ka thënë Sabedini.
“Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve”.
Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.
“Gazetarët e Gjilanit për këto 18 vite me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkaje që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë”.
Sabedini shton se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh.
“Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij, gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, ku e keqja merr përgjigjen e merituar”, ka thënë Sabedini.
Gjatë viti 2017, sipas Sabedinit, janë trajtuar tema që lidhen më infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën, shërbimet publike etj.