Përvjetori i agresionit rus, Tirana marshon në mbështetje të Ukrainës

Prishtinë | 24 Shk 2023 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Një vit nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, qytetarët në Tiranë zhvilluan një manifestim, pas ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas. Qytetarët marshuan nga rruga “Ukraina e Lirë” deri te Bashkia e Tiranës, me flamuj të Ukrainës në duar.

Në marshim, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali etj, shkruan abcnews.

“Jam mirënjohës për të gjithë qytetarët e Tiranës që janë këtu. Pavarësisht bindjeve tona politike, ne jemi mbledhur për të treguar se kjo histori nuk njeh moshë, kjo histori njeh karakter, nëse karakteri ynë është në vendin e duhur, atëherë përtej çdo diference tjetër, ne sot qëndrojmë me Ukrainën. Jam krenar që sot Tirana ka një rrugë me emrin “Ukraina e Lirë”. Nuk ka fabul më të bukur sesa ta nisnim këtë marshim nga rruga “Ukraina e Lirë”, për të përfunduar në atë që quhet “Parku Europa”, si një metaforë e rrugëtimit tonë. Se nëse nuk jemi të lirë vetë, nuk shkojmë dot në Europë, e nëse nuk luftojmë për lirinë e vendit tonë, nuk e kemi destinacionin e asaj që quhet Europë edhe vokacionin tonë perëndimor”, tha Veliaj.

Të ngjashme