Dukagjini nga Klina është lider i Grupit A të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Klinasit kanë një pikë më shumë se Malisheva pas 23 xhirove të zhvilluara. Deri në fund kanë mbetur edhe katër xhiro dhe nëse përfundon në vendin e parë, atëherë Dukagjini e siguron inkuadrimin në Superligë.
Dukagjini është edhe në finale të Kupës, ku do ta presë fituesin e duelit ndërmjet Llapit dhe Prishtinës.
Sulmuesi kryesor i skuadrës nga Rrafshi i Dukagjinit është Labinot Osmani. Ai ka shënuar dhjetë gola deri me tani. Për KOHËN, Osmani thotë se me përvojën e tij po mundohet që ta ndihmojë ekipin që të arrijë objektivat. Dhe përvojën e ka shumë të madhe.
Osmani thotë se deri tash gjithçka ka shkuar mirë. Madje, ai po luan duke e agjëruar muajin e Ramazanit.
“Sezoni 2020/2021 ka shkuar mirë. Besoj që jemi brenda objektivave dhe pritshmërive. Vlerësoj se është një sezon pozitiv për ne. Unë po mundohem ta ndihmoj skuadrën, kurse sa i përket asaj se a e ndihmon përvoja ime, u takon të tjerëve që të vlerësojnë. Unë jap maksimumin në çdo ndeshje për të arritur atë që synon klubi e që është inkuadrimi në Superligë. Klina ka qenë edhe më herët në Superligë dhe mendoj se e ka vendin aty. Jam edhe duke agjëruar, por kjo nuk ndikon në performacën time”, tha Osmani, i cili të dielën shënoi dy gola në fitoren kundër A&N në Prizren (3:1).
Ish-sulmuesi i shumë skuadrave kosovare, thekson se pavarësisht pozitës së parë që kanë në renditje, ende nuk ka përfunduar asgjë. Ai tregon se Dukagjinin po e veçon grupi dhe atmosfera e mirë që mbretëron.
“Jemi afër që të inkuadrohemi në Superligë, por ka ende punë për t’u bërë. Ne po punojmë çdo ditë për të arritur synimin që kemi. Skuadrën e Dukagjinit po e veçon puna ekipore, përkushtimi i madh dhe atmosfera e mirë”, u shpreh Osmani.
35-vjeçari është krenar edhe me arritjen në finale të Kupës. Thotë se do të provojnë që trofeun e çmueshëm të futbollit kosovar ta dërgojnë në Klinë.
“Jemi në finale falë punës dhe angazhimit maksimal që kemi pasur. Shpresoj që të paraqitemi sa më mirë dhe të provojmë të sjellim trofeun e Kupës në Klinë”, theksoi Osmani.
Ai zbulon se Dukagjinit i është bashkuar me vonesë, pasi kishte edhe oferta të tjera. Para se të firmoste me Dukagjinin kishte biseduar me trajnerin Armend Dallku.
“Kam shënuar dhjetë gola deri më tani, por thënë të drejtën unë kam filluar me vonesë me skuadrën e Dukagjinit. Diku pas xhiros së tetë kam arritur marrëveshje me ekipin nga Klina, pasi nuk isha shumë i sigurt se ku ta vazhdoja karrierën. Kisha shumë oferta dhe vendosa për Dukagjinin pasi organizimi dhe synimet e klubit ishin të qarta, inkuadrimi në Superligë dhe Kupa e Kosovës. Pata edhe një konsultim me trajnerin Armend Dallku dhe me ndihmësin e tij, Artan Luzi, dhe vendosa të pranoja ofertën e Dukagjinit” tha Osmani, i cili nuk e di të ardhmen pasi të përfundojë edicionin me Dukagjinin.
“Nuk kam bërë plane për të ardhmen. Jam i fokusuar në sezonin aktual. Do të shohim”.
Labinot Osmani ka veshur fanellën e shumë skuadrave kosovare. E ka fituar titullin e kampionit me Hysin, si dhe Kupën dhe Superkupën. Kampion është shpallur edhe me Llamkos Kosovën, me të cilën skuadër e ka fituar edhe Superkupën. Këtë ekip që tani mban emrin “Vushtrria” e ka ndihmuar që të inkuadrohet në Superligë para dy vjetëve.