Riviera shqiptare, një prej vendeve më sekrete në Shqipëri, me përjashtim të italianëve, që me shumë mundësi kanë pasur mundësinë të shijojnë ujërat e kaltër dhe ushqimet e detit po aq të lira sa patatinat për vite të tëra”, shkruan prestigjiozja britanike “Indipendent” në një reportazh që i dedikohet pesë eksperiencave unike që mund të gjenden në Rivierën shqiptare.
Megjithatë, për këdo tjetër, është gatë e panjohur. Kjo, pjesërisht sepse i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Tiranë, është 290 kilometra larg. Nga aty, duhet të udhëtosh për pesë orë nëpër rrugë dredharake për të arritur në Sarandë, kryeqyteti jo zyrtar i Rivierës shqiptare, pra shumica përpiqen të shkojnë me traget nga Korfuzi fqinj. Nëse zgjedh shërbimin e shpejtë arrin në portin e Sarandës për vetëm 35 minuta, ndërkohë që trageti normal vonon rreth një orë. Ka fjalë se do të ndërtohet një aeroport i ri pranë Sarandës, nëse do të ndodhë kjo, atëherë do të jetë e vështirë që këto 50 milje bregdet të mbeten të pazbuluara për një kohë të gjatë.
Peizazhi paraqet një vijë bregdetare po aq mbresëlënëse sa ajo që ofron Italia, por me kosto shumë më të ulëta. “Bregu”, sikurse i thonë në gjuhën vendase kësaj pjese të Shqipërisë së jugut, fillon në lartësinë 1 000 metra në Qafën e Llogarisë dhe përshkuan një vijë nëpër fshatra dhe qytete bregdetare deri sa arrin në trashëgiminë botërore të UNESCO-s, në zonën e Butrintit.
Rreth 30 vite kanë kaluar që kur Shqipëria hapi kufijtë e saj për vizitorët në vitin 1992, pas dekadash sundimi komunist. Në përpjekje për të gjeneruar të ardhura nga rajonet e saj bregdetare, pjesa më e madhe e plazheve u privatizuan dhe do të duhet të paguani rreth 700 lekë restorantin përballë plazhit për përdorimin e shezlloneve dhe çadrës për gjithë ditën. Një dekadë më parë, ky ishte një territor tamam për aventurierët. Dikur mundësitë për akomodim lidhin të limituara mes një kasolleje në plazh apo në shtëpinë e ndonjë banori vendas, sot gjen hotele, mund të prenotosh me “Airbnb” si dhe shtëpi pushimesh përgjatë bregut.
Vizitorët vijnë këtu për të gjetur kështjella antike, manastire në majë të maleve dhe plazhet e mrekullueshme. Madje, mund të gjesh edhe kanione në anë të detit, fshatra mesdhetare dhe pemë ulliri.
Por diçka që ata aventurierë të dekadave më parë do të njihnin edhe sot, është ushqimi. I lirë, i freskët dhe i vendit. Gatimi këtu është i thjeshtë dhe reflekton si vendndodhjen mesdhetare edhe vitet e ashpra të komunizmit. Nuk do të gjeni ingredientë të sofistikuar apo teknika të larta të gatimit. Picat i gjen kudo, falë fluksit të lartë të turistëve italianë, madje bëjnë edhe gjiro, xaxiq dhe sallatë greke kudo. Kuzhinierët përdorin vajin e ullirit njësoj sikurse francezët gjalpin dhe çdo gatim vjen me një shportë me bukë për ta ngjyer atë. Mos kini frikë të hani shumë, do ju duhet për të shoqëruar gjithë rakinë që do të pini.
Më poshtë vijojnë pesë eksperienca ushqimore thelbësore të Rivierës shqiptare:
Të pish alkool për mëngjes
Shqipëria është e famshme për mikpritjen e saj, falë konceptit kulturor të “besës”. Në mëngjesin tonë të parë, pritësit tanë në apartamentet luksoze të Ksamilit në detin Jon në ftuan që t’u bashkoheshim për mëngjes në ballkon. Përveç trekëndëshave të artë prej byreku me spinaq dhe gotave me dhallë, morëm edhe dy gota të vogla të mbushura me një lëng të kristaltë dhe një kub akulli. Kjo ishte shpirti i famshëm shqiptar, rakia. E prodhuar nga vjehrra e mikpritësit tonë, pija që nxirret nga rrushi dallon nga aroma eglikanxosë dhe të jep një goditje që nuk ke më nevojë të pish kafen.
Zhvillo turin e midhjeve
Tashmë në vitin e saj të katërt, Turi i Midhjeve në Liqenin e Butrintit filloi si një mënyrë për t’i treguar fermerëve të zonës se mund të përfitojnë nga sipërmarrjet e tyre duke i reklamuar ato si produkte për turistët (si dhe duke i tregtuar në restorantet e zonës). Laguna e Butrintit është burimi kryesor i midhjeve në Shqipëri dhe midhjet që mbajnë stampën e Butrintit janë një eksport shumë i vlerësuar. Në kulmin e tij, Butrinti prodhon 5 000 ton midhje në vit, por këto shifra ranë ndjeshëm në vitet 1990 për shkak të rënies së kolerës dhe së fundmi nga një ndalim i eksportimit të midhjeve nga BE-ja.
Ky tur prej dy orë e gjysmë filloi duke na dërguar me një varkë të bërë me dorë në rezervatin e midhjeve në mes të liqenit. Me doreza të trasha nëpër duar, ne mblodhën dhe pastruam litarët tanë me midhje para se të shkonim në një plazh të izoluar për darkë. Aty, ne shijuam një darkë me peshk të pjekur, bukë të bërë vetë, një kanë me verë të bardhë të ftohtë të zonës dhe midhjet e freskëta që sapo i kishim mbledhur. Sezoni i midhjeve është vetëm gjatë verës, ndërsa kur mbaron sezoni ka një tur po kaq interesant që të dërgon nëpër pemët me mandarina.
Vizitë në kantinë vere
Shqipëria është një prej prodhuesve më të vjetër të verës në Europë, por vite të tëra komunizëm shkaktuan një degradim të industrisë së verës gjatë kolektivizimit të detyruar. Sot, vera shqiptare është duke kaluar një lloji rilindjeje, me një gjeneratë të re prodhuesish verash që po rikthejnë rrushin e trashëguar.
Ndërkohë që zona përreth Rivierës nuk është e famshme për verën e saj, gjatë rrugës së kthimit nga Syri i Kaltër, zbuluam Kantinën e Verës Iska. Ajo ndodhet në Viron, në Sarandë. Kjo kantinë e vogël ofron ture dhe shijime por, edhe nëse shkon aty pa njoftuar, ata janë mëse të lumtur që të hapin dyqanin dhe t’ju sjellin disa modele për t’i provuar. Ne u larguam me dy shishe me verë të kuqe, dy me verë të bardhë, një konjak dhe një shishe të vogël me raki për vetëm 15 sterlina.
Shijoni petullat
Me sa duket çdo kulturë ka ushqimin e tij të shpejtë dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Të njohura si petulla, ky ushqim tradicional Shqiptar mund të hahet me gjalpë, sheqer, mjaltë apo kanellë. Kryesisht këto bëhen në shtëpi por ka edhe furra buke që i tregtojnë ato, ose mund të gjeni shitës ambulantë që i shesin ato në plazh. Ne shijuam disa që ishin ende të ngrohta dhe të pluhurosura me sheqer, kanellë e mjaltë. Zakonisht ato hahen për mëngjes, këto pite të skuqura shkojnë shumë mirë me pije që preferohen nga shqiptarët në mëngjes, siç është kafeja (ekspres ose turke).
Gjithnjë zgjidh pjata me produkte deti
Nga barakat në anë të detit deri tek restorantet më luksoze, pamja kryesore të ushqimeve në rivierë është e përqendruar tek produktet e detit dhe ka një çmim aq të arsyeshëm sa shpresoni. Madje, në një restorant, mund të zgjidhnim se cilin peshk dëshironim për drekë. Për sa i përket freskisë, rezervati i midhjeve dhe peshkut në Liqenin e Butrintit është vetëm pesë minuta larg me makinë nga Ksamili.
Ndërkohë që “The Mussel House” ka të gjitha avantazhet estetike sepse ndodhet në Liqenin e Butrintit, është ushqimi i detit në “Fourth Island” në rrugën kryesore në Ksamil që dallon. I shërbyer me patate të kripura dhe sallatë, oktapodi është zbutur mjaftueshëm për të lënë aromën e tij të këndshme në gojë. Është e vështirë që mos të kënaqesh me gatime deti kaq të freskëta. Tek “Guvat”, pjata me gatime deti është mjaftueshëm e madhe për dy persona të uritur ku bien në sy copëzat e kallamarëve dhe karkaleca e detit të pjekur dhe plot shije. Por edhe, “Afrimi” një restorant familjar, i lirë dhe plot gëzim, ia vlen të vizitohet.
Nuk ka një recetë sekrete që e bën ushqimin e detit këtu kaq të këndshëm. Është vetëm kripë, vaji i ulliri dhe lëng limoni sipër një flake të hapur. Megjithatë në Riverën shqiptare i gjen të gjitha ingredientët e duhur.