Pesë gjyqtarë transferohen në Prishtinë për ta luftuar korrupsionin

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 14:34 | Nga

Duke parë numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe kërkesave të vazhdueshme për shtimin e numrit të gjyqtarëve në këtë gjykatë, KGjK ka vendosur të transferojë 5 gjyqtarë nga gjykatat e Kosovës në atë të Prishtinës.

Në mbledhjen e mbajtur më 2 maj të këtij viti, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë nxjerrë vendim që 5 gjyqtarë të transferohen për 6 muaj me mundësi vazhdimi në Prishtinë, varësisht prej zhvillimit të rrethanave në trajtimin e këtyre lëndëve.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) në mbledhjen e 203 të datës, 02 maj 2018, ka marrë vendim për transferimin e pesë (5) gjyqtarëve nga gjykatat themelore (Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë) në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke pasur parasysh mbingarkesën me lëndë të kësaj Gjykate”, thuhet në përgjigjen e KGjK-së për kallxo.com

BIRN dhe Internews Kosova në mars të këtij viti publikuan raportin me gjetjet për rastet e shënjestuara ku evidentuan se vonesa të theksuara në trajtimin e këtyre lëndëve.

Një nga rekomandimet e këtij raporti ishte transferimi i gjyqtarëve nga gjykatat e tjera në Gjykatën Themelore të Prishtinës me qëllim zvogëlimin e lëndëve të pazgjidhura dhe në veçanti, atyre të korrupsionit.

Gjykata Themelore e Prishtinës e filloi me 183 lëndë me gjithsej 513 persona të akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Prej këtyre rasteve, janë gjithsej 17 lëndë të shënjestruara në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lëndë këto kriter për liberalizim të vizave.

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Aferdita Bytyçi, tha se e mirëpret vendimin për caktimin e këtyre gjyqtarëve, por tha se nuk kanë pranuar ende ndonjë njoftim nga KGjK.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme