Në kuadër të pakos emergjente për energji dhe e mbështetur nga Komisioni Evropian, Ministria e Ekonomisë ka lansuar të enjten Thirrjen Publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”, raporton Ekonomia Online.
Të gjithë ata qytetarë të cilët blejnë klimë efiçiente, kalda me biomasë, pompë termike si dhe stufë individuale me biomasë do të subvencionohen nga fondet që janë siguruar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Albin Kurti, tha se thirrje të shpeshta për subvencionim janë bërë të shpeshta, ndërsa synim tha se e kanë kursimin e energjisë elektrike. Ai tha se afër 5 mijë familje pritet të përfitojnë nga kjo thirrje, ndërsa në të kaluarën ka shkuar në mbi 40 mijë familje përfituese.
“Thirrje të këtilla të subvencionit janë bërë të shpeshta, sot është e 13-ta me radhë. Tashmë kemi përkrahur 40 mijë familje të vendit tonë me rreth 40 milionë euro, disa prej tyre për të blerë pajisje të këtilla për ngrohje, disa për të blerë pajisje elektro-shtëpiake, disa për t’i izoluar shtëpitë e për t’i ndërruar dyert e dritaret, e disa për të instaluar sisteme diellore për ngrohje të ujit e prishim të energjisë. Dimri që kemi përpara do të jetë më i ngrohtë, përditshmëria e tyre është me e lehtë dhe më e rehatshme e të njëjtën kohë faturat e tyre të energjisë elektrike janë më të ulëta mesatarisht për 19 për qind. Një gjë të tillë po synojmë ta ofrojmë edhe për afro 5 mijë familje të tjera nëpërmjet kësaj thirrje që po e hapim sot”, tha Kurti.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, konsideron se konsumi mesatar për familje është duke u ulur vit pas viti si rezultat i këtyre masave. Tha se i gjithë procesi do të jetë transparent.
“Vetëm për këto tri vite e gjysmë të mandatit tonë janë bërë shumëfish më shumë investime në efiçiencë të energjisë së janë bërë historikisht në Kosovë ndonjëherë. Vetëm gjatë këtij mandati janë zbatuar masat e efiçiencës në 112 ndërtesa publike, janë përkrahur 35 mijë familje për pajisje elektro-shtëpiake dhe pajisje ngrohëse deri me tani. Masa këto që synojmë t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen… Konsumi mesatar për familje është duke u ulur vit pas viti si rezultat i këtyre ndërhyrjeve të tjera në sektorin e emergjisë se e kemi pasur dhe kjo është një ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur sistemit tonë elektroenergjetik në fakt historikisht”, u shpreh Rizvanolli.
Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova tha se vlera e pakos është 75 milionë euro.
“Është kënaqësi dhe synim i rëndësishëm për Bashkimin Evropian që të mbështesë Efiçiencën e Energjisë në Kosovë. Në të gjithë Evropën dhe duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, ne përgatitëm këtë super paketë energjetike për Kosovën, ishin 75 milionë euro të cilat janë ndarë dhe shpërndahen në mënyrë progresive në mbështetje të familjeve, të qytetarëve, të NVM-ve që duhet të përshtatin infrastrukturën e tyre energjetike në mënyrë që të ta ketë atë më të qëndrueshme, në mënyrë që të ketë efikasitet më të lartë energjetik, kështu që është një kënaqësi e madhe që jemi këtu përsëri në këtë moment historik dhe është një inkurajim i madh për qytetarët që ta përdorin këtë paketë dhe ta përdorin këtë mbështetje për të sjellë një rrugë më të qëndrueshme kur bëhet fjalë për energjinë”, tha ajo.
Për kalda me biomasë vlera e subvencionit do të jetë 70%, apo deri në 1,200 euro, për klimë do të jetë 40% e vlerës apo deri në 400 euro, për pompë termike deri në 2 mijë euro ndërsa për stufë individuale me biomasë deri në 435 euro.
Qytetarët do të duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova për subvencionim. Kjo thirrje është ndër masat që financohen nga pakoja emergjente 75 milionëshe e Bashkimit Evropian me qëllim të zbutjes së ndikimit të krizës energjetike evropiane e të cilat zbatohen nga Ministria e Ekonomisë.