Sot pesë muaj nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.
Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga vrasja e Ivanoviqit, në veri të Mitrovicës, dorasi ende nuk është gjetur, transmeton lajmi.net.
Oliver Ivanoviq (1953 – 2018) u vra në mëngjesin e 16 janarit, përpara selisë së partisë që e udhëhiqste, me gjashtë plumba nga mbrapa, nga një makinë në lëvizje.
Pavarësisht premtimeve të liderëve të Serbisë dhe Kosovës se vrasja do të zgjidhet, kjo nuk ndodhi, shkruan agjencia serbe e lajmeve Beta.
Zyrtarja e SDP, Ksenija Bozoviq, thotë se anëtarët e familjes së të vrarit e as bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk kanë ndonjë informacion në lidhje me rrjedhën e hetimeve.
“Kanë kaluar 150 ditë që nga vrasja dhe askush nuk na ka thënë asgjë, nuk e dimë, nuk kemi detaje të hollësishme për rrjedhën e hetimit, qoftë ne apo familjarët”, tha Bozoviq.
Prokuroria Speciale e Prishtinës, tha në fund të muajit të kaluar se kamerat në zonën ku është vrarë Ivanoiviqi, ishin ndal 12 ditë përpara, andaj nuk kanë filmuar asgjë. Pamjet sipas prokurorisë janë 10 minuta pasi ndodhi vrasja.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq thotë se ditët e ardhshme do të japë informacione rreth vrasjes së Ivanoviq.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se vrasësit do të zbulohen shpejt. /Lajmi.net/