Pesë njerëz gjenden të vrarë në një shtëpi në ShBA, ndalohet një adoleshent

Prishtinë | 22 Tet 2024 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e rendit gjetën pesë njerëz të vrarë nga një sulm me armë në një shtëpi në juglindje të qytetit Seattle të shtetit Uashington në ShBA të hënën në mëngjes. Policia tha se një adoleshent është dërguar në mbajtje.

Disa njerëz e telefonuan linjën emergjente rreth orës 5 të mëngjesit për të raportuar të shtëna në qytetin Fall të shtetit Uashington, tha zëdhënësi i policisë lokale, Mike Mellis, në një konferencë për gazetarë të hënën pasdite, raporton agjencia “Associated Press”.

Policët ndaluan menjëherë një adoleshent, ndërsa një i ri tjetër, që ishte lënduar, u dërgua në një spital në qytetin Seattle, tha zëdhënësi Mellis. Të dy adoleshentët jetojnë në shtëpinë ku u gjetën trupat, shtoi ai.

Zëdhënësi tha se policët që hynë në shtëpi gjetën pesë trupa. Dy ishin të të rriturve, ndërsa tre u përshkruan si adoleshentë të rinj. Nuk është publikuar akoma ndonjë emër.

Porsa u zbuluan trupat, ne kuptojmë qartazi se kjo është skenë krimi shumë domethënëse” – tha zëdhënësi.

Sipas tij, në sulm duket se ishin të përfshirë anëtarë të një familjeje, por shtoi se autoritetet nuk dinin ende se çfarë lidhje saktësisht kishin njerëzit mes vete. Ai gjithashtu tha se nuk kishte rrezik të vazhdueshëm ndaj komunitetit.

“Nuk kam arsye për të menduar se do të ketë ndonjë arrestim shtesë” – tha më tej zëdhënësi i policisë lokale.

Adoleshenti i ndaluar u dërgua në qendrën për ndalimin e të miturve në distriktin King, sipas zëdhënësit Mellis. Adoleshenti do të paraqitet në gjykatë në seancën dëgjimore fillestare të martën ose të mërkurën, tha zyra e prokurorit lokal.

Një fqinj i tha televizionit “King TV” se një çift me pesë fëmijë jetonte në shtëpinë ku ndodhi rasti. “Unë thjesht jam në shok të plotë, po vazhdoj të shpërthej në lot” – tha ai.

Të ngjashme