Në intensiven e Klinikës Infektive për momentin janë duke u trajtuar pesë pacientë me Covid-19, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online doktoresha Jehona Zhuti.
Ajo ka thënë se në këtë klinikë kapaciteti është deri në gjatë persona për trajtim dhe se janë duke bërë të pamundurën për trajtimin e pacientëve.
“Në intensiven e Klinikës Infektive momentalisht janë pesë pacientë që janë të shtruar. Fatkeqësisht kapaciteti është deri në gjashtë për shkak që është një mjekim intenziv i vogël në krahasim me mjekimin intensiv qendrore të QKUK-së. Janë në gjendje të rëndë, por jemi duke e bërë të pamundurën si staf për shkak se është kënaqësi që jam pjesë të stafit të mjekimit intensiv të Klinikës Infektive. Është duke u bërë një punë enorme nga ana e tyre, duke u dhënë maksimumi me ato mjete që i kemi” është shprehur ajo.
Poashtu Zhuti ka thënë për EO se rritja e numrit të rasteve po e ngarkon Klinikën Infektive.
“Rritja e numrit të rasteve faktikisht po e ngarkon Klinikën Infektive dhe mund të them se në atë rolin e specializantes pasiqë unë nuk jam njeriu më kompetent për të folur në emër të Klinikës Infektive, por mund të them se është një gjendje mjaftë e rënduar edhe faktikisht gati jemi të stërmbushur me pacient. Kështu që nuk është një situatë e mirë, e këndshme marrë parasysh edhe prej ambullatës së pranimit ku po kemi numër enorm të njerëzve që po paraqiten me Covid. Plus që edhe numrat çdo ditë që po reflektohen, po i afrohemi 600 e nuk jemi duke rënë. Është një situatë goxha alarmuese” ka përfunduar Zhuti.