Stafi shëndetësor i lodhur nga pandemia, rrezikohet mbingarkimi i sistemit shëndetësor

Prishtinë | 02 Nën 2020 | 11:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kohën kur Kosova po shënon shifra rekorde me të infektuar nga Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin këshillat e profesionistëve shëndetësorë dhe ta ruajnë veten, në mënyrë që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor.

Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në vend, Armend Zemaj, ka bërë thirrje për përkushtim në zbatimin e masave nga qytetarët, në mënyrë që mjekët e infermierët të mund të jenë në gjendje për të ofruar ndihmë.

“Të mos mbingarkojmë sistemin tonë shëndetësor. Profesionistët shëndetësorë duhet të ndihmohen, t’i zbatojmë masat secili në mënyrën e vet, ta ruajmë shëndetin, ta ruajmë jetën e njëri-tjetrit, ta ruajmë familjen tonë të përbashkët”, thekson Zemaj.

Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë

Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë

Që nga përhapja e Coronavirusit, Klinika Infektive në Prishtinë është duke punuar pa ndërprerë me turne të zgjatura për stafin.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, ka kërkuar nga qytetarët respektimin e masave që dalin nga institucionet, sepse tanimë stafi shëndetësor është i lodhur.

“Të nderuar qytetarë, Klinika Infektive është 8 muaj që është duke punuar dhe duke u ballafaquar me virusin. Prandaj i gjithë stafi shëndetësor është tani më i lodhur dhe të vetmen gjë që mund të bëni është të na ndihmoni duke i respektuar të gjitha masat që dalin nga institucionet shëndetësore, duke mbajtur maskën, duke mbajtur distancën, duke mbajtur higjienën personale dhe duke u larguar nga grumbullimet e panevojshme”.

“Virusi është në mesin tonë, ka ekzistuar dhe akoma e ekziston”, thekson ajo.

“Të gjithë ata të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 duhet të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa të gjithë ata të cilët janë të sëmurë dhe kanë probleme me frymëmarrje patjetër që duhet të vizitohen te mjeku dhe sipas rekomandimeve të mjekut duhet të spitalizohen, duke e mbrojtur veten në të njëjtën kohë mbrojmë edhe familjarët dhe e ndihmojmë stafin shëndetësor në punën 8 mujore”, këshillon Ajazaj-Berisha, në një bisedë për Ekonomia Online.

Lindita Ajazaj-Berisha, drejtoreshë e Klinikës Infektive

Krahas punës së palodhshme që po bëjnë në qendrat shëndetësore, mjekët po përpiqen të sensibilizojnë njerëzit se kjo luftë është e përbashkët.

Një ndër mjekët më të vjetër të kësaj klinike është infektologu Salih Ahmeti. Ai ka treguar komplikimet shëndetësore që shkakton ky virus.

Ahmeti ka kërkuar kujdes të shtuar nga qytetarët në këto ditë kur ka shtim të numrit të të infektuarve.

“Covid-19 është një sëmundje me manifestime klinike të ndryshme, duke filluar prej formave asimptomatike, pastaj mund të shfaqet në forma të lehta, mesatarisht të rënda, forma të rënda dhe ndonjëherë edhe me forma shumë të rënda të cilat mund të rrezikojnë në mënyrë serioze jetën e pacientit. Pacientët të cilët kanë infeksionin me Covid-19 është e preferueshme që t’iu përmbahen sugjerimeve të mjekëve. Pacientët me forma mesatarisht të rënda dhe të rënda duhet të lajmërohen sa më shpejt te mjeku përkatës, në mënyrë që trajtimi të fillojë me kohë dhe të jetë i hershëm”, deklaron Ahmeti.

“Pacientët që kanë temperaturë të lartë, kollë të thatë dhe rënie të oksigjenit nën 93% patjetër që duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore te specialistët – infektologë apo pulmologë – në mënyrë që komplikimet e sëmundjes të ndërpriten më shpejt”.

Infektologu Ahmeti paralajmëron se me ftohjen e motit pritet shtim i rasteve. “Këto ditë kur mund të ballafaqohemi me shtim të numrit të rasteve, sidomos në muajt e ftohtë të vitit, duhet të respektohet në mënyrë sa më rigoroze mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike dhe të ikin nga tubimet e panevojshme”.

Salih Ahmeti, infektolog

Edhe, infektologu Shemsedin Dreshaj ka bërë apel që qytetarët të ruajnë veten, në mënyrë që profesionistët shëndetësorë të jenë të gatshëm për të ofruar ndihmë.

“Koha në të cilën jetojmë, nuk është kohë për të neglizhuar problemin me të cilin jemi duke u ballafaquar. Korona është rrezik, ju lutem respektoni distancën, ju lutem mbani maskat për shkak se jemi lodhur në mision që shtatë muaj pa ndërprerë pa asnjë ditë pushimi. Ruani veten dhe na mundësoni neve që të ju ofrojmë ndihmën që jemi të gatshëm të ju ofrojmë”.

Shemsedin Dreshaj, infektolog

Edhe, infektologu Shemsedin Dreshaj ka bërë apel që qytetarët të ruajnë veten, në mënyrë që profesionistët shëndetësorë të mund të jenë në gjendje për të ofruar ndihmë.

“Koha në të cilën jetojmë, nuk është kohë për të neglizhuar problemin me të cilin jemi duke u ballafaquar. Korona është rrezik, ju lutem respektoni distancën, ju lutem mbani maskat për shkak se jemi lodhur në mision që më shumë se shtatë muaj pa ndërprerë pa asnjë ditë pushimi”, thotë Dreshaj.

Shumicës së pacientëve me Covid-19 u nevojiten disa muaj që të rimarrin energjitë. Dhomat e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë bërë si shtëpi e dytë për të infektuarit që janë të shtrirë në këtë klinikë.

Një paciente, e cila tash e tre javë së bashku me prindërit e saj, është e shtrirë në Klinikën Infektive, tregon para kamerës së Ekonomia Online se gjatë gjithë kohës të tre kishin simptoma të ndryshme.

“Coronavirusi është shumë i vërtetë. Nëse s’e keni besuar qe edhe një rast tjetër për të besuar më shumë. Ne jemi tre familjarë unë dhe prindërit të shtrirë që dy javë në Klinikën Infektive të QKUK-së. Të tretë kemi simptome të ndryshme, të tre kemi terapi të ndryshme… Fatmirësisht unë e kam kaluar më lehtë, por babi dhe nëna ime nuk janë duke e përballuar aq lehtë, por shpresojmë në rikuperim”.

“Mirëpo për të mos mbërritur deri të kjo pikë ju lutem kini kujdes, mbani maskat, dezinfektoni duart dhe ruani të afërmit e juaj sa më shumë që mundeni”, është këshilla e kësaj pacienteje.

Një pacient tjetër, i cili po ashtu foli për EO, nuk harron t’i falënderoj stafin e Klinikës Infektive për përkushtimin e përkujdesjen ndaj tyre.

“Nuk ka vend për diskutim se a duhet besuar, apo mos besuar virusin. Virusi ekziston dhe është tejet i rëndë, nevojitet kujdes sepse ai thjesht nuk e di kah të vjen, edhe nëse të vjen i ka goditjet e rënda. Unë jam gati që tri javë këtu në spital, në një përkujdesje vërtet të madhe, dhe mund të them se është zhvilluar vërtet një luftë e ashpër e mjekësisë këtu me virusin. Jam mirënjohës gjithë stafit të klinikës për përkushtimin e përkujdesin. Dhe po më duket se po ia dalim ta luftojmë këtë virus”.

“Rekomandimi im do të ishte që të kenë kujdes maksimal, të ruhen sa më shumë”, thekson ky pacient, i cili sipas mjekëve pritet të lëshohet në shtëpi brenda disa ditësh.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi në fundjavë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 514 raste të reja me Coronavirus.

Kjo është shifra më e lartë e infektimeve brenda një dite që është regjistruar në Kosovë, që kur rastet e para u paraqitën më 13 mars. Rastet e reja dolën pas testimit të 1 750 mostrave, që tregon dhe rritje të numrit të testimeve.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej marsit e deri më 31 tetor janë regjistruar 19 842 raste me Covid-19, sëmundjen që e shkakton Coronavirusi. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 681.

Sipas IKShPK-së, deri më tani 15 520 pacientë janë shëruar, ndërkaq 3 641 janë raste aktive.
Derisa disa vende evropiane kanë rikthyer masa të ashpra ose kanë paralajmëruar “rimbyllje” për shkak të rritjes së rasteve me Coronavirus, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi për disa masa të reja kundër Coronavirusit.

Ndër masat janë kufizimi i veprimtarisë së qendrave tregtare dhe sektorit të gastronomisë nga ora 21 – 05; personat mbi 65 vjeç do të kenë orar të kufizuar lëvizjes; ligjëratat nëpër fakultete do të mbahen vetëm online etj. Masat do të rishikohen pas dy javësh.

Të ngjashme