Qeveria e ardhshme e Kosovës, pavarësisht se nga kush do të udhëhiqet, do t’i trashëgojë çështjet e pazgjidhura të Qeverisë në largim.
Kjo Qeveri do të ballafaqohet me probleme të shumta, prej të cilave Demarkacioni, Asociacioni, liberalizimi i vizave, ushtria e luftimi i krimit e korrupsionit do të jenë pesë çështjet më sfiduese, të cilat tash e sa vite nuk po mund të zgjidhen.
Analistët politikë konsiderojnë se çështjet në fjalë mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik, jo vetëm nëpërmjet Qeverisë.
Megjithatë, sipas tyre, edhe Qeveria e ardhshme do të duhej urgjentisht të merrej me përgjegjës të lartë në zgjidhjen e këtyre problemeve madhore.
Nga ana tjetër, përfaqësues të blloqeve kryesore politike zotohen se do t’i zgjidhin këto probleme në momentin që do të vijnë në krye të ekzekutivit, shkruan zëri.info.
Selmanaj: Qeveria duhet ta zgjidhë demarkacionin
Deputeti nga radhët e koalicionit PAN, Rasim Selmanaj, ka thënë se Qeveria e ardhshme e ka për obligim ta zgjidhë çështjen e demarkacionit dhe t’i sigurojë vizat.
“Qeveria e re e ka obligim ta bëjë zgjidhjen e demarkacionit dhe ta hapë rrugën për liberalizimin e vizave. Kjo do të jetë prioritet për Qeverinë”, ka deklaruar ai.