Kazakistani, Azerbajxhani, Rusia, Irani dhe Turkmenistani kanë arritur marrëveshje për statusin ligjor të Detit Kaspik.
Në Samitin e 5-të të vendeve të Kaspikut të zhvilluar në qytetin Aktau të Kazakistanit, morën pjesë presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, presidenti iranian Hasan Ruhani dhe presidenti i Turkmenistanit Gurbanguli Berdimuhammedov.
Në samitin ku u diskutuan çështjet për ekonominë, transportin, mjedisin, sigurinë dhe fusha të tjera të bashkëpunimit, palët nënshkruan një marrëveshje që përcakton statusin ligjor të Kaspikut.
Gjithashtu përveç çështjeve për transportin, tregtinë, bashkëpunimin ekonomik, u nënshkruan edhe marrëveshje dhe protokollet për të parandaluar krimin e organizuar, luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë kufitare të Kaspikut.
Në një fjalim në samit presidenti i Kazakistanit, Nazarbayev, duke bërë të ditur se disa ekspertë vërejnë me dyshim procesin e përcaktimit të statusit ligjor të Kaspikut, ai tha se “Sot në praninë e gjithë botës si rezultat i punimeve të përbashkëta në Aktau arritëm të sigurojmë një qasje të ndërsjellë”.
Nuk ka qenë e lehtë arritja e një ideje të përbashkët në lidhje me statusin e Kaspikut, ku negociatat kanë zgjatur më shumë se 20 vite ka shprehur Nazarbayev, duke nënvizuar se Kaspikun e kanë shndërruar në një det të miqësisë, sigurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Në këtë kuptim nënshkrimin e marrëveshjes duhet ta pranojmë si një fillim të bashkëpunimit në kushte të reja mes vendeve tona”, njoftoi Nazarbayev, duke shtuar se marrëveshja do të hapë një faqe të re në historinë e bashkëpunimit të pesë vendeve.
Presidenti rus Putin gjithashtu theksoi se marrëveshja garanton të drejtat dhe përgjegjësitë e vendeve për fatin e Detit Kaspik dhe vendos rregulla të qarta për përdorimin kolektiv të detit.
“Është e rëndësishme që marrëveshja të sigurojë në mënyrë të hapur ndarjen e nevojshme, çështjet detare dhe peshkimin, çështjet ndikuese ushtarake dhe politike të vendeve pjesëmarrëse, përdorimin e Kaspikut vetëm për qëllime paqësore dhe mospraninë e forcave ushtarake përveç fuqive rajonale”, tha Putin.
Ndërkohë edhe presidenti i Azerbajxhanit Aliyev duke bërë të ditur se bashkëpunimi dypalësh dhe multilateral është një faktori i stabilitetit dhe sigurisë në rajonin Kaspik, ai tha se “Përcaktimi i statusit ligjor të Kaspikut, do të sigurojë përfundimin e ndarjes së detit dhe sipërfaqes së tij në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare”.
Presidenti i Turkmenistanit Berdimuhammedov tha se protokollet e nënshkruara në fushën e sigurisë do të forcojnë besimin midis vendeve, duke vënë në dukje se koordinimi kryesor i përpjekjeve të vendeve të Kaspikut për të luftuar aktivitetet e paligjshme është një faktor kyç për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Deti Kaspik duhet të jetë përgjithmonë zonë paqeje, fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe besimit reciprok”, shprehu pikëpamjen e tij, Berdimuhammedov.
Edhe presidenti iranian Hasan Ruhani gjithashtu konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së aleancës së bashkëpunimit mes vendeve bregdetare në Detin Kaspik.
Sipas marrëveshjes, thellësia dhe zonat nëntokësore, zonat detare, sipërfaqja detare, zonat e peshkimit dhe përdorimit të burimeve të Detit Kaspik, si do të ndahet sipas parimeve.
Në Detin Kaspik, të cilit do ti jepet statusi i veçantë, nuk do të mund të zbatohet marrëveshja detare e Kombeve të Bashkuara e vitit 1982 dhe thellësia e ujit do të përcaktohet bazuar në principin e liqenit.
Marrëveshja gjithashtu përcakton ndalimin e pranisë ushtarake të huaja në Detin Kaspik, me përjashtim të pesë shteteve bregdetare.
Ndërkohë që theksohet se do të vazhdojnë konsultimet mbi përdorimin e hapësirës ajrore të Detit Kaspik.
Irani, Rusia, Azerbajxhani, Turkmenistani dhe Kazakistani kanë negociuar që nga viti 1996 për të marrë më shumë pjesë nga Kaspiku, i cili është një det i plotë energjetik. Bisedimet bllokoheshin në pikën nëse Kaspiku ishte një det apo një liqe.
Parashikohet se në Kaspik ndodhen 50 miliardë fuçi naftë dhe 9 trilion metra kub rezerva të gazit natyror.