Në takimin në qytetin kazak, Aqtau, liderët e Azerbajxhanit, Iranit, Kazakistanit, Rusisë dhe Turkmenistanit kanë nënshkruar sot një konventë të re mbi statusin ligjor të Detit Kaspik, që është i pasur me burime. Statusi ligjor i Detit Kaspik është njëra prej çështjeve më të diskutueshme në mes këtyre pesë vendeve fqinje për më shumë se 20 vjet.
Liderët, megjithatë, nuk dhanë asnjë detaj mbi marrëveshjen e arritur, gjatë fjalimeve që mbajtën përpara se të nënshkruanin dokumentin.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se zgjidhja e statusit ligjor të Detit Kaspik “krijon kushte për të sjellë bashkëpunimin mes vendeve në një nivel më cilësor, për zhvillim dhe bashkëpunim më të ngushtë në trajektore të ndryshme”.
Homologu i tij iranian, Hassan Rohani tha se delimitimi i shtratit të Detit Kaspik– që është i pasur me naftë dhe gaz – do të kërkojë marrëveshje shtesë mes shteteve që kanë dalje në të.
Ndërkaq, presidenti kazak, Nursultan Nazarbaev tha se palët janë pajtuar që të krijojnë “një mekanizëm të posaçëm të konsultimeve të rregullta mes shteteve, që do të bëhen përmes ministrive të Jashtme”, me qëllim që të zbatohen dispozitat e kësaj konvente.
Në këtë samit po ashtu ishte i pranishëm edhe presidentit i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe Gurbanduly Berdymukhammedov i Turkmenistanit.
Debatet nëse Kaspiku është det apo liqe kanë nisur që kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik më 1991.
Nëse konsiderohet si det, atëherë pesë shtetet do të vendosin kufijtë e tyre që shtrihen nga brigjet e tyre deri në pikën e mesme me shtetet fqinje, ndërsa nëse klasifikohet si liqe, atëherë kjo do të thotë se burimet e Kaspikut do të ndaheshin në mënyrë të barabartë në mes të këtyre pesë shteteve.
Në shtratin e Kaspikut vlerësohet se ka burime në vlerë prej trilionë dollarësh të hidrokarbureve, ku janë rreth 50 milionë fuçi nafte dhe rreth 9 trilionë metra kubik me gaz natyror.
Në një draft-marrëveshje, e cila ishte postuar në faqen zyrtare të kryeministrit rus Dmitry Medved në muajin qershor, e të cilën e posedon Radio Evropa e Lirë, lihej të kuptohej se shtetet do të pajtoheshin se Kaspiku është det.