Bashkimi Evropian shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e bllokut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.
Ai tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë aktorët e BE-së”, tha Stano.