Kosovës i duhet një reformë e mirëfilltë zgjedhore në mënyrë që të arrijë standardet demokratike evropiane. Ky është vlerësimi që ka dhënë shefi i Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian (EU EOM), Alojz Peterle, gjatë një interviste për “Kohën Ditore”.
Megjithëse ka thënë se zgjedhjet e 22 tetorit ishin më të mirat që Kosova ka organizuar deri më tani, Peterle ka listuar një varg mangësish që vazhdojnë të jenë evidente në çdo palë zgjedhje.
Pasaktësitë në listën e votuesve, mungesa e transparencës sa i përket financimit të fushatës së partive politike, mosqartësimi sa duhet i procedurave të votimit- janë disa prej mangësive që sipas Peterles duhet të adresohen.