Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka akuzuar të shtunën autoritetet e Kosovës se i kanë “mbjellë” armët e gjetura në aksionin në veri të Kosovës, më 23 qershor.
Në një konferencë për media, Petkoviq ka thënë se armët, të cilat Policia e Kosovës i ka gjetur në afërsi të Komunës së Zveçanit, janë konfiskuar më herët në aksionet për çarmatimin e qytetarëve në Kosovë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë më 23 qershor se “është parandaluar një sulm terrorist”, falë angazhimit intensiv të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës.
Sipas tij, rreth 100 metra nga komuna e Zveçanit është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, e cila ka pasur sasi të mëdha armësh, mjete shpërthyese dhe municione.
Ai i ka publikuar edhe disa fotografi të armëve në rrjetin social, Facebook.
“Kjo është edhe një dëshmi se Serbia, përmes grupeve dhe organizatave të tilla, synon të destabilizojë vendin tonë”, ka thënë mes tjerash Sveçla.
Sipas Petkoviqit, autoritetet serbe i kanë njoftuar shërbimet e huaja më 20 qershor – pa përmendur saktësisht cilat – se Kosova po përgatit operacione të reja për arrestimin e serbëve në veri.
“Në këtë plan, pjesëtarët e policisë së Kosovës po transportojnë armë dhe municione ilegale, të cilat në periudhën paraprake ua kanë konfiskuar shtetasve të nacionalitetit serb dhe shqiptar, nga të gjitha nënstacionet e Policisë së Kosovës. Qëllimi i tyre është që t’i përdorin armët e përmendura për arrestime të reja të serbëve ose t’i ruajnë ato në veri dhe pastaj gjoja t’i gjejnë dhe akuzojnë serbët”, ka thënë Petkoviq.
Petkoviq ka thënë, po ashtu, se makinës, në të cilën janë gjetur armët, i ka skaduar targa më 2020.
Ai ka paralajmëruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të deklarohet për këtë çështje në 24 orët e ardhshme.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit.
Atë ditë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës dhe të Serbisë që të marrin urgjentisht masa për uljen e tensioneve. REL