Petkoviq: Asociacioni është shtylla kurrizore e dialogut

Prishtinë | 19 Pri 2023 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit”, sipas tij “Prishtina ende refuzon të përmbushë obligimin e saj kryesor – formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Ai tha për RTS se komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi të veçantë për një situatë të tillë.

Petkoviq thekson se Asociacioni është një kusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe komprometuese gjatë gjithë kohës, ndërsa nga ana tjetër, Prishtina vazhdimisht po përpiqet të pengojë dialogun dhe t’ua vështirësojë jetën serbëve në Kosovë”.

“ Kur shikon gjithçka që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, një përgjegjësi e veçantë ka komuniteti ndërkombëtar, i cili është i detyruar të bëjë presion mbi themelimin e Asociacionit. Asociacioni përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, shtoi ai.

Të ngjashme