Petkoviq: Kurti nuk do asgjë

Prishtinë | 18 Sht 2023 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do bisedime” e as “kompromis” me Serbinë.

Petkoviq i bëri komentet pak ditë pas rundit të fundit të bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë rund, të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por nuk u arrit ndonjë pajtim.

“Kurti nuk e do Asociacionin e komunave [me shumicë] serbe; Kurti është ai që nuk ka dashur të bisedojë për shtensionimin [e situatës në veri të Kosovës]. Vuçiq, qartazi, ka treguar se është i gatshëm për zgjidhje kompromisi, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur serbët në Kosovë”, tha Petkoviq.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se në çfarë kushtesh të pamundura po negociojmë”, shtoi ai.

Sipas tij, Kurti “nuk do zgjedhje, nuk do marrëveshje, nuk do asgjë”.

Të ngjashme