Petkoviq: “Me miratimin e Statutit të Trepçës, Kosova po e do dëbimin e serbëve”

Prishtinë | 03 Shk 2019 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

“Kosova po dëshiron ta dëbojë popullin serb dhe kjo shihet me miratimin statutit të Trepçës”.

Kështu ka deklaruar ndihmës drejtori i të ashtuquajturës Zyrë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq.

Ai ka shtuar se Serbia do të bëjë çdo gjë që “Trepça – veri” të vazhdojë së funksionuari.

“Qeveria e Serbisë vjet e ka miratuar vendimin që të fillohet me realizimin e fabrikës së akumulatorëve me vlerë 14 milionë euro, të ndihmohen ndërmarrjet dhe punëtorët përmes resorëve të ministrive dhe të Zyrës për Kosovën. Po i bëjmë të gjitha ato që na përkasin në mënyrë që ta ruajmë kombinatin, i domosdoshëm për ekzistimin popullit serb në Kosovë”, citon b92 të ketë thënë për rts -në Petkoviq.

Sipas tij, “po përsëritet skenari si në vitin 2016, kur në Kuvendin e Kosovës dy orë pas mesnate deputetët e miratuan Ligjin për Trepçën që parasheh konfiskimin e pasurisë së shtetit të Serbisë e me të cilin Qeveria e Kosovës u bë pronare e 80 për qind të tërë pasurisë dhe kapitalit të këtij kombinati”.

Disa ditë pas miratimit, Qeveria serbe kishte marrë vendimin për anulimin e Ligjit si dhe të efekteve juridike që dalin nga ai, e njëri nga vendimet ishte të nxirrej statuti për ndërmarrjen e re “Trepça sh. a.” në sistemin e Kosovës me të cilin hapen dyert për implementimin e këtij Ligji.

“Kur të formohet ndërmarrja e re, strukturat e tashme udhëheqëse dhe njësitë organizative pushojnë së ekzistuari. Kjo do të thotë, të gjithë e kanë të qartë, se duan t’i bllokojnë llogaritë e ta ndalojnë prodhimin dhe eksportimin e koncentrateve të plumbit e zinkut nga të cilët ‘Trepça – Veri’ jeton”, ka thënë Petkoviq.

Sipas fjalëve të tij, fakti se statuti parasheh menaxhment të ri , fizikisht nuk do të mund të realizohet, sepse, ka thënë ai, “Trepça – Veri ” është në Leposaviq, ndërsa minierat më të rëndësishme Kodra e Bardhë dhe Cërnaci ( Belo brdo dhe Crnac) janë përgjatë kufirit me Serbinë.

Petkoviq ka thënë se megjithatë ekziston rreziku se do të bllokohen llogaritë dhe kështu të vihet në pyetje eksportimi i prodhimit e me këtë edhe vetë ekzistimi i Trepçës si dhe pagat për 3.000 punëtorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme