Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe e ka akuzuar për “një sërë të pavërtetash dhe gënjeshtrash, aq të dukshme sa që edhe përfaqësues të respektuar ndërkombëtarë i mohojnë ato”.
“E vërteta e vetme është se delegacioni i Beogradit i kryesuar nga presidenti, Aleksandar Vuçiq erdhi në Bruksel i përgatitur mirë, me zgjidhje konkrete, konstruktive dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e krizës me të cilën po përballemi në Kosovës dhe Metohi, e cila u konfirmua edhe nga ambasadori amerikan mbrëmë në Beograd, z. Christopher Hill”, ka thënë Petkoviq në një njoftim për media më 24 gusht.
Ambasadori Hill, tha më 23 gusht se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.
Petkoviq po ashtu ka deklaruar se “pala serbe është munduar të jetë fleksibile, të gjejë zgjidhje”, por se “pala tjetër nuk ka qenë e gatshme për bisedë konkrete”.
Petkoviq tha se Kurti është i gatshëm për gjithçka, përveç dialogut dhe kompromisit. Ai ka përsëritur se politika e Kurtit bazohet në refuzimin e formimit të Asociacionit së komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord edhe në Dialogun e Brukselit.
Kryeministri i Kosovës, Albin të mërkurën i quajti gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.
“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, tha Kurti.
Ai tha se autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje.
Pala serbe pretendon se ka këmbëngulur që qytetarët nga veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, dhe që automjetet e tyre me targa KM, PR, etj., t’i riregjistrojnë me shkronja neutrale ndaj statusit të Kosovës – KS, e jo RKS.
Mirosllav Lajçak, si dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Escobar, kanë planifikuar takime me liderë politikë në Kosovë dhe Serbi më 23, 24 dhe 25 gusht.
Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpara 1 shtatorit.
Në këtë datë parashihet të vazhdojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.
Autoritetet e Kosovës i kanë quajtur këto vendime legale dhe masa reciproke ndaj Serbisë, si dhe kishin bërë përpjekje t’i zbatojnë që nga 1 gushti.
Si shenjë pakënaqësie ndaj këtyre vendimeve, disa serbë në pjesën veriore kanë ngritur barrikada në rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Si rrjedhojë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve të saj për 30 ditë.