Petkoviqit i “djeg” deklarata e Kurtit për luftën hibride serbe dhe spiunazhin

Prishtinë | 05 Jan 2026 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për rënien e rrezikut nga spiunazhi dhe për, siç është shprehur, luftë hibride të Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, Petkoviq ka pretenduar se Kurti “do t’i vërë çdo serbi në Kosovë etiketën e të ashtuquajturit spiun apo terrorist”, duke e cilësuar qasjen e tij si kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Kurti ka thënë se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë ka çuar në arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.

Pavarësisht se për disa prej këtyre rasteve janë ngritur edhe aktakuza, Petkoviq ka pretenduar se të arrestuarit “po mbahen padrejtësisht në burgje” dhe se ata “nuk janë spiunë, por viktima të tiranisë dhe shfrenimit shovinist të regjimit në Prishtinë”.

Ai ka akuzuar Kurtin se me deklaratat e tij po “kërcënon paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë dhe politikanë serbë bëjnë deklarata të tilla ndaj institucioneve të Kosovës.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve kosovare, pretendime të tilla përbëjnë dezinformim të qëllimshëm, me synim destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, dhe publikohen vazhdimisht në media në Serbi. /telegrafi

Të ngjashme