Pezullimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq do ta dëmtojë vendin tonë pasi që Kosova do të humbasë edhe më shumë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht se shteti ynë është i gatshëm që ta vazhdojë dialogun.
Kështu kanë vlerësuar njohës të çështjeve ndërkombëtare, të cilët thonë se Kosova duhet të kërkojë nga BE-ja që të përcaktohet afati kohor për përfundimin e dialogut me Serbinë (i cili pritet të përfundojë me njohje reciproke).
Në anën tjetër, shefi për negociata ndërmjet Kosovës e Serbisë, Avni Arifi, i tha “Zërit” se pala kosovare do të presë që BE-ja ta caktojë takimin e radhës.
Kurse opozita vazhdon ta kundërshtojë këtë mënyrë të bërjes dialog me Serbinë. Ata kanë kërkuar që BE-ja të japë urdhër për përfundimin e këtyre negociatave.
Arifi: Po presim që BE-ja ta caktojë takimin e radhës
Avni Arifi, shef për negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se pala kosovare po pret nga BE-ja që ta caktojë takimin e radhës.
“Ne nuk presim prej Serbisë. Ne kemi hyrë në këtë marrëveshje me BE-në dhe presim nga BE-ja kur e aranzhon takimin e radhës dhe ne do të shkojmë”, ka thënë ai.