Zbardhet kërkesa që qeveria ka dorëzuar sot, më 21 nëntor, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në kërkesën e qeverisë theksohet se vendimi i GJKKO-së ka krijuar një konflikt kompetencash ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe gjykatës së posaçme, nga ana tjetër, njofton tvklan.
Kështu, qeveria kërkon:
1.Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese
4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”

Relatori i çështjes është caktuar Sandër Beci.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të mbajtur këtë të premte, deklaroi se qeveria respekton punën e organeve të drejtësisë, por nuk mund të pranojë vendime që sipas tij tregojnë “dobësitë e një pushteti të ri”. Ai e cilësoi rastin si unik në Europë dhe në vendet ish-komuniste, duke theksuar se “nuk ka ndodhur kurrë që një gjykatë dhe prokuror të pezullojnë një anëtar qeverie”.
Vendimi për pezullimin e Ballukut u dha më 20 nëntor nga gjyqtari Erjon Çela, me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi. Masa përfshin “pezullim nga detyra” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për lotin e katërt të Unazës së Madhe. Balluku akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”.