Gjykata Themelore në Prishtinë i ka aprovuar kërkesën organizatës GLSP dhe GAIA, për shtyrjen e ekzekutimit të lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, raporton Ekonomia Online.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë për medie të organizuar nga GLSP dhe GAIA, të cilat kishin dorëzuar kërkesën në gjykatë.
Alba Dushi Qendra për Raste Gjyqësorë Strategjike në kundër të GLSP-së, tha se Hidrocentrali Brezovica është një nga hidrocentralet e ndërtuar më shumë shkelje e jo transparencë
“Hidrocentrali Brezovica është një nga 4 hidrocentralet e ndërtuara me jotrasparencë ku kanë ndodhur shkelje ligjore si mos mbajtja e debateve publike. Banorët e Shtërpcës kanë mungesë uji dhe pije të cilën e kanë marrë nga lumi ku po ndërtohet hidrocentrali. Dhe shkelja e tretë është ndotja e mjedisit. Gjykata ka potencuar se organizatat kanë ofruar prova të mjaftueshme që japim fakte se ndërtimi i hidrocentralit do të shkaktonte dëme të pariparueshme atje”, tha ajo.
Sipas saj një ndër shkeljet më të mëdha ka qenë ndërtimi në parkun Kombëtarë të Sharrit.
” Një shkelje tjetër është edhe ndërtimi në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharri, një zonë në të cilën nuk mund të ndërtohet sepse dëmtohet flora, fauna e biodiversiteti”, tha ajo.
Mevlude Skuroshi nga GAIA, ka kërkuar nga Qeveria të marrin masa sa i përket ndërtimit të hidrocentraleve duke shtuar se ata do të vazhdojnë t’i mbrojnë lumenjtë.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së re, bashkë me Ministrinë e Mjedisit, dhe Ministrin e saj të ri, me ndërmarrë masa të menjëhershme për çështjen e hidrocentraleve, i bëjmë thirrje për me marrë përgjegjësi edhe mos me leju projekte tjera të cilat kërcënojnë zonat e mbrojtura, ujin e pijshëm dhe ujin e ujitjes. Gjithashtu i’a kujtojmë Qeverisë së re që komuniteti lokal në Shtërpcë, në Sharr, i mbështet fortë shpresat e tyre në premtimet që i keni dhënë, prandaj presim që ato premtime të përmbushen e mos të jenë të kota. Lumenjtë tonë kanë qenë viktima të një procesi që nuk është menduar mirë, por ka ende shpresë dhe ne besojmë në rivendosjen e drejtësisë për natyrën. Rrjedhat edhe lumenjtë duam ti shohim më të lirë andaj kemi me e vazhdu luftën për ta. “, tha ajo.