Perdet e kuqe të vendosura në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare e tapeti i kuq në pjesën më të madhe të sallës i kanë dhënë një dimension tjetër këtij ambienti që tash e tri net po e mbledhë publikun në mbrëmjet koncertale që Chopin Piano Fest i ka sjellë kryeqytetit. Pak para se të nis mbrëmja pianistike, në sallë mund të numëroheshin gati veç dhjetë ulëse të zbrazura. Publiku në ulëset tjera me duartrokitje kanë pritur pianistin norvegjez Hakon Austbo, e intensitetin e duartrokitjeve e kanë shtuar pas çdo përfundimi të veprës së interpretuar nga ai, derisa për Austbon ky ishte takimi i dytë me publikun e Prishtinës. Në skenë barte bagazhin e karrierës së tij 50 vjeçare që përfshin interpretimin e tij në skenat më prestigjioze të botës. Pianoja e vendosur në mes të sallës, nuk ishte nga ato në të cilat Austbo ka interpretuar më parë por megjithatë publikun e konsideronte si pjesën më të veçantë të interpretimit të tij.
Pianisti norvegjez Hakon Austbo për gati dy orë ka qëndruar në ndërveprim të vazhdueshëm me pianon. Loja e tij nuk ka qenë vec interpretative, brenda pozitës së tij ka dëshmuar edhe ndjeshmërinë e tij artistike ndaj lojës. Gishtërinjtë e tij kanë qëndruar stoikisht drejt tasteve të pianos ndërsa shikimi i tij ka depërtuar edhe përtej saj. Tingujt që ka nxjerrë loja e tij, vazhdimisht ia kanë orientuar lëvizjet e trupit. Mbrëmja ka nisur pikërisht me veprën e kompozitorit polak Frédéric Chopin, emrin e të cilit e mbanë festivali. Mbrëmja ka nisur me “Fantaisie op.61”, vepër kjo e shkruar dhe botuar në vitin 1846, ku tingujt vijnë rrjedhshëm njëri pas tjetrit e rrallë i ikin formës së njëtrajtshme.
Më pas pianisti Austbo ka kaluar në një pjesë nga vepra shumëvëllimëshe “Lyric Pieces” e kompozuar nga pianisti dhe kompozitor norvegjez Edvard Grieg. “Lyric Pieces op.54”, e kompozuar në vitin 1889–91 dhe e publikuar në vitin 1891 ka qenë vepra pasuese. Vepra e kompozitorit e pianistit rus ka vazhduar të mbajë pjesën tjetër të koncertit ,“Piano Sonata No. 10, Op. 70” që daton nga viti 1913 erdhi mbrëmë në mjeshtrinë artistike të pianistit norvegjez. Mirëpo gjallërinë më të madhe e goxha energji duket se i ka marrë vepra me të cilën ka përmbyllur mbrëmjen “Miroirs “e kompozitorit francez Maurice Ravel që është kompozuar në fund të shekullit të kaluar. Vepra përmban pesë kohë dhe secila nga to ka qenë dedikim për anëtarët e grupit artistik francez “Les Apaches”. Intensiteti i lojës ka dalë edhe më në pah gjatë veprës së fundit. Me elegancë e lojë të natyrshme e ka përcjellë krejt lojën, pianisti norvegjez i veshur me të zeza që ka dëshmuar përvojën e tij të ndërtuar në skenat më të njohura.
“Ishte e mahnitshme të kthehem këtu, salla ishte më e madhe por do të doja që edhe pianoja të ishte e tillë, shpresoj që ta gjejë një më të madhe herën tjetër, megjithatë e shijova praninë e publikut dhe e kuptova që ata dëgjonin mjaft mirë. Veprat që i luajta sonte janë vepra që i kam luajtur tërë jetën time”, shprehet Hakon Austbo për KultPlus.
Hakon Austbo ka qenë aktiv si pianist për më shumë se 50 vite. Performanca e tij e parë me orkestër në Bergen në 1963 dhe recitali i tij i parë në Oslo në vitin 1964, i dhanë atij famë në një moshë të hershme. Përveç çmimit Messiaen, Hakon Austbo ishte i pari kombëtar jofrangjik që fito “Paris Concours de la Guild Francaise des Artistes Solistes” në Paris (1970). Ai ishte fitues i konkursit ndërkombëtar të Mynihut (në pianoduo me Marina Horak, 1974), të Konkursit Ravel në Paris (1975) dhe si anëtar i Trio du Nord, i International Rostrum, UNESCO, Bratislava. Ai mori çmimin e kritikëve të muzikës norvegjeze në vitin 1989 dhe u zgjodh “Performer i vitit” në Norvegji në vitin 1992. Ai mban titulli freng si “Chevalier de la Legion des Arts et des Letters”.
Drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula tha për KultPlus se artisti Austbo prekë nivelin kulmor të një piansiti, ndërsa edhe pse i përket një niveli jashtëzakonisht i lartë, ai përseri nuk ngurron që artin e tij ta prezantojë edhe në salla të vogla, sic është kjo e këtij festivali.
“Fokusi i interesimeve të tij është laramania tingullore, ai kur luan ne kemi përshtypje që bijën perlat në tastaturë , aq bukur që shkëlqejnë tingëllojnë tingujt e pianos sa absolutisht dëgjojmë çdo tingull i cili është prezent , kjo është një dhunti e madhe , është diçka rrallë, nuk ka shumë artistë të tillë të këtij niveli aq të lartë , të të shprehurit artistikisht dhe të kualitetit tingullor që ai e ka nxjerrë makasimumin nga ai instrument për këtu”, tha Lejla Pula në një intervistë të shkurtër për KultPlus.
Mbrëmja muzikore ka pasuar me një takim me pianistin e koktej të organizuar nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë. Në një bisedë me KultPlus, ambasdori norvegjez Strand Sjaastad mbrëmjen e kaluar e përshkroi si mbrëmje që përmbledhë brenda vetes plot entuziazëm e qetësi.
“Ky është një festival i mrekullueshëm me njerëz nga vende të ndryshme që vijnë këtu dhe jam i nderuar që edhe unë jam këtu. Është shumë kënaqësi të shohësh gjithë këta njerëz këtu, dhe kjo është një pritje jashtëzakonisht e ngrohtë . Chopin Piano Fest-it na sjellë vazhdimisht këso mbrëmjesh të bukura , ndërsa përfshijnë një angazhim të çmueshëm të cilin ne do të vazhdojmë ta përkrahim”, tha ambasadori Sjaastad për KultPlus.
Chopin Piano Fest numëron edhe 12 mbrëmje koncertale deri në përfundim. Sonte duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të luajnë dy instrumentistë nga Kroacia, Danjel dhe Ljubomir Gasparovic.