Pika Kapi-Sfircë ishte pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, “bllokohet” nga KEDS-i

Kamenicë | 02 Nën 2017 | 15:52 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për hapjen e pikëkalimit mes Kamenicës dhe Medvegjës, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në Bruksel në maj 2015. Gurthemeli për ndërtimin e kësaj pike që thuhej se do të funksiononte sipas modelit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) ishte vënë në tetor të vitit të kaluar.

Por, pikëkalimi Kapi-Sfircë, që shkurton për dhjetëra kilometra rrugën Kamenicë – Banjë e Sijarinës, ende nuk ka nisur të funksionojë për arsye “teknike”, raporton Ekonomia Online.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) nuk i është përgjigjur kërkesës për ta lidhur këtë pjesë në rrjetin e rrymës. Ndërkohë, shpenzimet për karburant të gjeneratorit elektrik shkojnë rreth 100 euro në ditë.

Kjo u bë e ditur gjatë një vizite të organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), së bashku me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë nga Qeveria e Policia e Kosovës.

Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi u njoftua për problemin, u zotua se këtë shqetësim do të adresojë në Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Ramush Haradinaj.

“Besoj për një periudhë shumë të shpejt do rregullohet ky problem”, tha Isufi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, u interesua që të merrte më shumë informacion nga Policia e Kosovës rreth shpenzimeve për karburant, që u tha se shkojnë deri në 100 € në ditë.

Pavarësisht shpenzimeve nga pala kosovare, pika nuk është funksionale, pasi pala serbe është arsyetuar me mungesën e energjisë elektrike. Sikur dihet, në dy anët e kufirit jetojnë shumicë popullatë shqiptare, shumë prej të cilëve kanë prona në të dy anët e kufirit, por dhe lidhje farefisnie e miqësie.

Kur ishte vënë gurthemeli në tetor 2016, ministrja e atëhershme e Dialogut, Edita Tahiri, e kishte cilësuar “hapjen” e kësaj pike si një nga të arriturat e dialogut.

“Shumë qytetarë kanë pronat e tyre andej dhe këndej kufirit. Kjo pikë do ta shkurtojë rrugën Kamenicë – Banjë e Sijarinës për rreth 90 kilometra”, ishte thënë me këtë rast.

Ish-nënkryetari i Komunës se Kamenicës, Fatmir Matoshi, aktualisht zv.ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se kjo anë e Malësisë së Kamenicës nuk ka energji elektrike, megjithë kërkesat banorëve qe 18 vjet prej përfundimit të luftës.

Vizita në pikën kufitare Kapi-Sfircë u bë pas tryezës së organizuar sot nga KDI me temën “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi: perspektiva e qytetarëve”.

Në diskutimin që u mbajt në Kamenicë, deputetë të Kuvendit të Kosovës e përfaqësues të shoqërisë civile, thanë se dialogu i deritanishëm Kosovë-Serbi nuk ka qenë transparent dhe kryesisht është biseduar për temat që i kanë konvenuar Serbisë.

Me këtë rast, u kërkua që të ndryshohet formati i dialogut Kosovë-Serbi dhe të ketë llogaridhënie para Kuvendit të Kosovës.

 

Të ngjashme