Sveçla në Vjenë merr mbështetjen e Varhelyit në disa fusha

Prishtinë | 22 Shk 2022 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me zëvendësministrin, Blerim Gashani, morën pjesë në konferencën ministrore të mbajtur në Vjenë, e cila u organizua dhe u udhëheq nga homologu austriak, Gerhard Karner.

Sveçla bën të ditur se gjatë kësaj konference diskutuan për sfidat me të cilat shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor përballen në kthimin e të huajve me qëndrim të parregullt në vendet e tyre të origjinës.

“Në fjalën time theksova rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e migrimit, dhe të kthimit në veçanti, duke garantuar respektimin e normave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut gjatë zbatimit të procesit të kthimit. Poashtu theksova edhe rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit me mekanizmat e BE-së, sikurse është FRONTEX, me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të të dhënave, në një raport bashkëpunimi operativ, me fokus në asistimin e procesit të kthimit”.

Ministri i Brendshëm në kuadër të kësaj konference zhvilloi edhe takime bilaterale me disa ministra.

“Kam zhvilluar takime bilaterale me Ministrin Grek për Migrim dhe Azil, Notis Mitarachi, Ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Lituanisë, Agnė Bilotaite dhe Përfaqësuesen e Agjencisë së Unionit Evropian për Azil (EUAA), Eva Wipler. Në këto takime biseduam rreth forcimit të bashkëpunimit në fushën e luftimit të migrimit të parregullt, bashkëpunimit policor si dhe avancimit të trajnimit dhe edukimit në fushën e sigurisë publike”.

Tutje, Sveçla tha se në Vjenë takoi edhe Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, nga i cili mori mbështetje në disa fusha.

“Gjithashtu, kam zhvilluar takim bilateral me Komisionerin Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, i cili më njoftoi lidhur me planet konkrete për mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e kontrollit të kufirit dhe luftimin e krimit të organizuar në përgjithësi, edhe përmes mbështetjes me pajisje dhe teknologji më të avancuar. Me këtë rast e kam njoftuar Komisionerin edhe për progresin e arritur deri më tani në Kosovë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, me theks të veçantë tek luftimi dhe konfiskimi i sasive të mëdha të drogës, goditjes së grupeve të ndryshme kriminale si dhe kontrabandës anë e mbanë Kosovës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme