Për 10 vjet, krijoi rreth 20 piktura të ndryshme.
Këtë përvjetor të Pavarësisë, Jehona Oruqi vendosi të pikturojë diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë, raporton KTV.
Nga paleta e ngjyrave, për dallim nga herët e tjera, hodhi ngjyrat e hapura, e edhe ato me të cilat simbolizohet Flamuri i Kosovës.
Vijat e para të pikturës u dukën të pakoordinuara, por derisa ajo po formësohej, një personazh doli në qendër të pëlhurës.
10 vjet pavarësi, ky personazh i saj ka një plagë të hapur, që rëndon si barrë e rëndë mbi shoqërinë tonë që nga paslufta.
Me tri brusha e me një përkushtim të madh, ajo po mundohet që kurrsesi të mos e humbë idenë dhe inspirimin për këtë pikturë.
Frymëzimin e madh ia dha Gëzim Zherka, një baba nga Gjakova, që këtë përvjetor i kushtoi një këngë djalit të tij, Elton Zherka, i vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Por, me këtë pikturë po mundohet të portretizojë dhimbjen e të gjitha familjeve kosovare që pësuan njësoj.
Jehona Oruqi, ish-mësimdhënëse, tash e 3 vjet drejtoreshë e shkollës “Pjetër Bogdani”, beson se shteti duhet të angazhohet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, në mënyrë që pavarësia të jetë e plotë.
Piktura e titulluar “Lamtumirë dot nuk të thashë”, pas 3 ditësh punë, i afrohet përfundimit.
Pikturën, Oruqi do t’ia bëjë dhuratë pikërisht këngëtarit Gëzim Zherka, nga kënga e të cilit u frymëzua.
Por, gjithsesi, ajo mbetet një dedikim për të gjitha familjet që nuk gjejnë rehati pa e kuptuar se çfarë u bë me fatin e familjarëve të tyre.
https://video.gjirafa.com/koha?video=piktura-per-dhjetevjetorin-e-pavaresise-se-kosoves