Më 17 gusht 1603 – ata e zgjodhën ditën për lidhjet e shkëlqyera astrologjike të Jupiterit, Saturnit dhe Merkurit – një grup miqsh shkuan bashkë në Romë për të themeluar një shoqëri për studimin dhe regjistrimin e botës natyrore.
Ata donin të yshtnin rrëqebullin, që besohej të ishte më symprehti prej kafshëve, kështu që e quajtën veten Akademia e Rrëqebujve. Misioni i tyre ishte të zhbironin natyrën me syrin e mprehtë të maces gjahtare të natës.
Ekspozimi nga Instituti Barber i këtyre kryeveprave të historisë natyrore është një udhëtim drejt agimeve të shkencës bashkëkohore. Sytë e mprehtë të shohin kudo që je. Një pelikan këqyr me një kokërdhok të ashpër, i rrethuar nga qerthuj të lëkurës vjollcë që i ngjajnë orbitës së planetëve. Një mace afrikane shikon një tjetër prej tyre, që gjithashtu i kthen të pasmet e veta për të parë sehirxhiun – rrëqebujt ishin të interesuar në gjëndrën e anusit si burim i parfumit të vlefshëm.
Këto vizatime të ngjyrosura janë paraardhëset e çdo filmi apo fotografie moderne mbi natyrën. Kur një dokumentar televiziv vëren sesi një sloth mundimshëm drejtohet nga pema, stafi i kameramanëve vijojnë hapat e artistit të panjohur që prodhoi pikturën e një slothi të Amerikës Jugore.
Në të vërtetë, ai është një nga studimet më pak të sakta, pasi që Akademia e Rrëqebujve nuk kishte një sloth të gjallë për ta vëzhguar, përveç copëzave të eshtrave dhe lëkurës, si dhe tregimeve të udhëtarëve nga Bota e Re. Një vizatim, që në pamje të parë duket sikur tregon korale dhe shkëmbinj, si një klasifikim shkencor bashkëkohor i natyrës, por këto thesare janë të renditura pjesërisht sipas fuqisë magjike: korali ishte një afrodiziak; kuarci i shkëlqyer këshillohej për shëndetin.
Megjithatë, mes perlave okulte në këto piktura uji janë mbetjet që përfshijnë një guaskë molusqesh spirale, dhëmbë të vjetër peshkaqeni, dhe një tub të trashë të fildishit të fosilizuar që akademia e mori për një asht gjigant para se të vendoste se duhej të ishte i ndonjë lloj elefanti – më saktë, një fosil mamuthi. Është e pamundshme të stërtheksohet rëndësia e këtyre kryeveprave të artit shkencor, derisa historiani i artit David Freedberg rastisi në to në një dollap në Windsor Castle më 1986, ku ndodheshin prej shekujsh, lidhja e tyre e harruar me një nga akademitë e para shkencore të Evropës.
Ky lloj i ri i artit i nisur nga rrëqebujt u bë pjesë e “Muzeut të letrës” të Cassiano dal Pozzo, një avokat, diplomat dhe shkencëtar amator i shekullit të 17-të.
Këto albume të mësimeve të hollësishme me gjasë morën rrugën drejt Koleksionit Mbretëror të Britanisë. Ato janë përzgjedhur nga studentët e historisë së artit në Universitetin e Birminghamit nga një grumbullim i madh në Bibliotekën Mbretërore – dhe ata kanë bërë një punë të paqme. Ka madje edhe një çantë plot me fosile dhe minerale të vërteta nga muzeu universitar i gjeologjisë për t’u krahasuar me kabinetin virtual të kurioziteteve të Cassianos. Këto imazhe janë dëshmi të shkëlqyeshme të një çasti revolucionar në art dhe shkencë.
Në vitet 1600, shkenca ishte një ndërmarrje pamore. Më i njohuri anëtar i Akademisë së Rrëqebujve ishte astronomi pionier dhe fizikani Galileo Galilei. Në vitin 1610, Galileo nxori një libër të vogël të quajtur “Lajmëtari xixëllues”, në të cilin jo vetëm përshkruan, por edhe ilustron me vijëzimet e tij atë çka pa kur iu drejtua me teleskop qiellit të natës. Vizatimet e tij të vrazhda të kores me kratere të hënës e kthyen kosmologjinë në rrugë të mbarë, për shkak se deri atëherë mendohej se ajo ishte veçse dritë parajsore në qiell.
Duke treguar që sateliti ynë është një shkëmb solid në hapësirë, Galileoi dha prova të forta për besimin kopernikian që edhe toka ishte një rruzull shkëmbor në orbitën përreth diellit. I njëjti lloj i syrit zhbirues, me të cilin Galileo themeloi shkencën e sotme empirike, shfaqet kudo në ekspozitë. Është veçanërisht i fuqishëm në vizatimet e Vincenzo Leonardit.
Akuareli i tij, ku shihet një limon i zakonshëm që duket sikur ka gishtërinj apo zgjatime është po aq i mahnitshëm dhe i huaj sa dromca e sipërfaqes së një planeti të tejlargët. Kjo është një vepër e madhe arti. Nuk merr asgjë të mirëqenë sa i përket limonit, por analizon konturat e panjohura të këtij limoni unik, të shpërfytyruar e sui generis. Kjo është një mënyrë e re e të parit, që refuzon të kufizohet nga konvenca, pritja apo mirësjellja. Në një pikturë tjetër tronditëse, Leonardi këqyr copëza të një lloj iriqi të analizuar. Ai tërheq flegrat e feçkës dhe dy putrat e thyera, duke i shkoqitur secilën në një jastëk, secilin thua, secilën qime, me një hollësi të jashtëzakonshme.
Habitesh nëse ka përdorur lente sikur Galileo. Ky është një studim shekuj përtej kohës së tij – Charles Darwini sigurisht se do ta konsideronte si të vlefshëm. Sa e sigurt ishte të shihje botën përmes thjerrëzave shkencore në Italinë e shekullit të 17-të, ku Kisha Katolike po e ripohonte veten triumfalisht kundër Reformës Protestante? Jo aq e sigurt. Shkencëtari Giordano Bruno u dogj për së gjalli në Campo de’ Fiori të Romës. Galileo u spraps pasi u kërcënua me tortura nga Inkuzicioni. Revolucioni shkencor u shty drejt nëntokës. Nuk duket e çuditshme pse Cassiano dal Pozzo, që iu desh t’i luftonte dyshimet se ai ishte ateist, lejoi që vizatimet e tij shkencore të përhumbnin në grumbullin e madh të studimeve antikuariane.
Edhe devocioni i dukshëm mund të bëhet subversiv nëse bën shumë përpjekje. Në një pikturë që Cassiano mbikëqyri në zinxhirët e një martiri të hershëm krishterë, artisti i kushton vëmendje secilës hollësi të ndryshkut në metalin e vjetruar. Devocioni bëhet arkeologji. Është vetëm disa hapa larg datimit me karbon. Analizimi është një sjellje e rrezikshme për t’u kredhur brenda tij/ The Guardian.