Klubi i pingpongut “Lidhja e Prizrenit” është shpallur kampion i Ligës së Juniorëve për sezonin pranveror, pasi në ndeshjen derbi ka mposhtur klubin nga Vushtrria, “Hasan Prishtina”.
“Lidhja e Prizrenit” gjendet në pozitën e parë me 16 pikë, ndërsa në të dytën është “Hasan Prishtina” me 15 pikë, raporton Ekonomia Online.
Klubi nga Prizreni ka 8 fitore nga 8 ndeshje, me 24 sete të fituara dhe asnjë të humbur, kurse “Hasan Prishtina” nga Vushtrria gjatë këtij sezoni kanë 21 sete të fituara dhe 9 të humbura.
Përfaqësuesi i klubit “Lidhja e Prizrenit”, Besim Hajdari, tha për Ekonomia Online se pa problem do të shpallen kampion, marrë parasysh kualitetin e lojtarëve që kanë.
Ai vlerësoi se me kalimin e kohës konkurrenca është duke u rritur dhe kjo sipas tij është pozitive për shkak se ndikon në ngritjen e nivelit të pingpongut.
“Duke llogaritur kualitetin dhe cilësinë e lojtarëve që kemi besoj që pa problem do të shpallemi kampion edhe pranveror edhe në tërsi. Me kalimin e kohës konkurrenca është duke u rritur, ky është një progres për pingpongun kosovar në përgjithësi, andaj u dëshiroj suksese të gjitha klubeve sepse sa më e fortë që do të jetë konkurrenca niveli i pingpongut do të jetë më i mirë”.
Fati Karabaxhaku, një nga lojtarët më të mirë të “Lidhjes së Prizrenit”, tha se për të qenë të parët në këtë ligë nuk e kanë pasur edhe aq vështirë.
Në ndeshjet e sotme nuk ishte prezent trajneri i “Hasan Prishtinës”, ndërsa lojtari i këtij klubi, Rilind Gashi, tha se janë të kënaqur me rezultatet që kanë arritur.
“Sa i përket sezonit pranveror, ne si klub jemi të kënaqur me rezultet që i kemi arritur, kemi disa pikë që kemi grumbulluar. E kemi edhe lojën me Lidhjen e Prizrenit e cila për neve është derbi dhe të cilën ndoshta mund ta fitojmë”.
Qamil Vishaj, trajner i klubit “Maestro”, i cili pozicionohet në vendin e parafundkt në tabelë me 5 pikë, tha se sivjet janë debutues në ligën e juniorëve.
Ai shtoi se për sivjet synimi i lojtarëve të tyre është që të njihen më shumë me ekipet kundërshtare.
“Sivjet në ligën e juniorëve jemi debutues, kemi disa rezultate. Qëllimi është që lojtarët të njihen më shumë me lojtarët e klubeve tjera. Sa i përket federatës dhe gjyqtarëve kemi ngritje të cilësisë”.