Trajneri i Milanit, Stefano Pioli e ka përshkruar ekipin e tij si “fenomenal” pas suksesit të arritur këtë sezon.
“Rossoneri” e siguruan dje titullin e kampionit pas fitores së pastër ndaj Sassuolos, 3:0 duke e lënë prapa me dy pikë kampionin e deridjeshëm, Inter.
Milani kështu e fitoi titullin e kampionit pas 11 vjetësh pritjeje.
“Lojtarët e mi janë fenomenalë. Ata janë të lumtur për veten, për mua, për stafin, për klubin dhe për tifozët tanë, të cilët e merituan këtë Scudetto. Jam me të vërtet i lumtur”, deklaroi fillimisht Pioli për “DAZN”, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne gjatë sezonit ishim më konsistentë se Interi. Ndeshjen e fundit që e humbëm ishte nga Spezia dhe atë nuk është dashur ta humbisnim. Ekipi nuk u dorëzua kurrë, lojtarët ishin fantastikë, si ata që luajtën më shumë, ashtu edhe ata më pak. E merituam Scudetton sepse besuam më shumë në të. Ne e merituam sepse jemi ekip i fortë. Unë i kisha në krahë dy menaxherë të mëdhenj si Maldini e Massara”, vazhdoi Pioli.
Ai thotë se Milani po e trajton si mbret dhe se asnjë eksperiencë në karrierën e tij nuk ishte më e mirë sesa ajo me Kuqezinjtë.
Pioli u zgjodh trajneri i vitit në Itali.