Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka mbajtur konferencë, ku ka prezantuar gjetjet e punimit “Njohja e Kosovës përballë fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve”, raporton Ekonomia Online.
Butrint Berisha nga ky Institut tha se deri më tani kanë qenë 13 shtete që e kanë tërhequr njohjen për shtetin e Kosovës si pasojë e fushatës së shtetit serb.
“Kampanja për tërheqjen e njohjeve filloj në vitin 2017 dhe Ministri i Jashtëm Serb ka deklaruar që 13 shtete kanë tërhequr njohjen për Kosovën. Qëllimi i parë është dobësimi i pozitës së Kosovës në dialog me Serbinë. Parandalimi i zgjerimit dhe ekspansionit politik përmes njohjeve së Kosovës. Sa i përket pasojave që kjo kampanjë ka prodhuar dhe ka pasë efekte në planin e jashtëm dhe të brendshëm”.
Berisha shtoi se kjo fushatë e ç’njohjeve ka prodhuar pasoja të vazhdueshme në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm të shtetit.
“Kosova aktualisht është në një defanzivë duke shfrytëzuar kohën për të mbrojtur njohjet që i ka, por jo të ketë zgjerim politik. Kjo kampanjë ka prodhuar pasoja në planin e brendshëm pasi gjysma e qyterarëve vlerësojnë që kjo fushatë e ka dëmtuar Kosovën. Në fillim zyrtarët e Ministrisë së Jashtme e kanë neutralizuar fushatën me ç’njohje dhe kjo më vonë ka ndryshuar. Tarifa 100 për qind vendosur si pasojë e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjes që më vonë e ka prodhuar edhe bllokadën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai, raporton EO.
Rekomandimet e këtij Instituti për qeverinë e ardhshme, sipas Berishës, janë ulja në tavolinë me Serbinë, me kërkesën për ndaljen e fushatës së ç’njohjeve.
“Ne i rekomandojmë qeverisë së re se duhet të ketë narracionin e saj dhe kërkesën për ndaljen e fushatës së Serbisë për heqjen e njohjeve në tavolinë ata duhet ta kërkojnë që këtë ta ndalojmë”, tha ai, raporton EO.