Pishina e Gërmisë në Prishtinë pritet të hapet më datë 1 qershor. Kështu konfirmoi Adelina Fazliu, aksionare e ndërmarrjes Publike “Sport dhe Marketing”, e cila do të menaxhojë me këtë pishinë. Ajo tha se parapërgatitjet kanë filluar, derisa shtoi se gjatë këtij viti në Gërmi do të ketë edhe atraksione si një “sky lift” dhe një kënd i patinazhit.
Përgatitjet për hapjen e pishinës së Gërmisë në Prishtinë kanë filluar, duke përfshirë edhe mbushjen e pishinës me ujë. Po ashtu, në parkun e Gërmisë afër pishinës po kryhet edhe dezinfektimi dhe procedura të tjera të cilat i paraprijnë hapjes së pishinës për shfrytëzim nga qytetarët.
“Përgatitjet për pishinën e Gërmisë kanë filluar. Pritet që me datë 1 qershor të hapet pishina për të qenë në funksion për banorët e Prishtinës. Dhe gjatë stinës së dimrit kemi paraparë që pishina të shndërrohet në një qendër të patinazhit si dhe një ashensor apo ski lift, ku qytetarët mund ta shfrytëzojnë kohën e lirë. Pishina veç ka filluar të mbushet me ujë”, tha Fazliu për televizionin publik.
Fazliu tha se sivjet pishinës do t’i jepet një kahje tjetër, duke hapur më shumë fusha të gjelbra dhe kënde të ndryshme për shfrytëzim të qytetarëve.
“Ne, ‘’Sport marketingu”, kemi vendosur t’i japim kahe më të mirë në këtë mandat që e kemi ne si asamblistë dhe si aksionarë të Sport marketingut. I kemi paraparë këto, por besoj që edhe risi të tjera do të ndodhin në Sport marketing, duke e pasur parasysh se e kemi përfshi të hapim sa më shumë fusha të gjelbra sportive.”
Fazliu ka thënë se çmimet do të jenë si të vitit të kaluar, 2 euro për të rriturit dhe 1 euro për fëmijët.