Kuvendi i Kosovës, pas shqyrtimit, e ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili ka paraqitur raportin para deputetëve, tha se pagesat gjatë këtij viti ishin 1 miliard e 735 milionë euro. Pjesa më e madhe e buxhetit ka shkuar për paga – gjithsej 544.8 milionë euro. Kurse shpenzimet kapitale ishin 452.3 milionë, që krahasuar me vitin paraprak është për 10.5 për qind rritje.
“Pranimet gjatë vitit 2016, duke përfshirë huamarrjen ishin 1 miliard e 778 milionë euro. Krahasuar me 2015-ën, rritja ishte prej 4 për qind”, shpjegoi Hamza.
“Janë rimbursuar 38 milionë euro. 175 milionë euro erdhën nga të hyrat jotatimore; të hyrat vetanake ishin 92 milionë euro; tatimi në pronë 25 milion euro; të hyrat nga taksat 7.7 milionë euro; te hyrat nga dividenta 0”.
Nga pranimet, 154. 4 milionë euro ishin nga huamarrja, ka saktësuar Hamza. “Pagesat gjatë këtij viti ishin 1 miliard e 735 milion euro; pagat dhe rrogat marrin pjesë me 544.8 milionë euro”.
Shpenzimet komunale janë 23.4 milionë euro, kurse subvencionet dhe transferet marrin pjesë me 475 milionë euro. “Shpenzimet kapitale janë 452.3 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak kemi një rritje prej 10.5 për qind”, tha ministri i Financave.
“Grantet e përcaktuara te donatorët në total 14.9 milionë euro. Pasuria financiare në para të gatshme ishte 271.2 milionë euro. Fonde të pashpenzuara 212.8 milionë euro”.
Hadërgjonaj e Hoti bëjnë vërejtje për mbipunësime dhe punësime me kontrata mbi vepër
Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se ky raport përmbush obligimet ligjore dhe i rekomandoi Kuvendit që të miratohet.
Naser Osmani, në emër të LDK-së, tha se ky grup parlamentar do ta votojë raportin.
Safete Hadërgjonaj, nga grupi parlamentar i PDK-së, tha se e kanë shqyrtuar raportin dhe se ai pasqyron të hyrat dhe shpenzimet në buxhet, në përputhje me Ligjin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Por, ajo bëri vërejtje se ka një rritje të numrit të të punësuarve në organizata buxhetore. “Ka tejkalim për 710 punonjës dhe kjo është një shkelje ligjore. Presim qe shqetësimet tona të adresohen dhe ne do ta votojmë këtë raport”, tha Hadërgjonaj.
Blerim Kuçi, nga AAK-ja, tha se e përkrahin raportin.
Enver Hoti nga Nisma tha se në raport shihet që rekomandimet e auditorit nuk janë përfillur nga organizatat buxhetore. “Shihet gjithashtu numri enorm i të punësuarve me kontrata mbi vepër apo për shërbime të veçanta. Po ashtu, Qeveria pranon që ka informalitet rreth 30 për qind. Megjithatë ne do ta mbështesim këtë raport”, tha Hoti.
Në fund, me 47 vota për,17 kundër, Kuvendi ka miratuar raportin financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.