Më shumë se 50 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, kur kanë mbetur edhe 11 ditë fushatë. Sipas parashikimeve të “US Election Project”, ky ritëm mund ta sjellë përqindjen më të madhe të votuesve në më shumë se një shekull.
Shifra e madhe e personave që kanë votuar para ditës përfundimtare të zgjedhjeve është shenjë e interesimit të madh për garën e rëndësishme, ku amerikanët po synojnë ta zvogëlojnë rrezikun e ekspozimit ndaj sëmundjes Covid-19, nga e cila në ShBA kanë vdekur mbi 221.000 persona.
Shumë shtete e kanë zgjeruar afatin për votim të parakohshëm dhe votim me postë para ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor si mënyra më të sigurta për të votuar gjatë pandemisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Niveli i lartë i votimit të hershëm ka bërë që Micahel McDonald, profesor në Universitetin e Floridës, të parashikojë numër rekord prej 150 milionë votuesish, që i bie 65 për qind e amerikanëve me të drejtë vote e që do të ishte shkalla më e lartë e pjesëmarrjes që nga viti 1908.
Në Teksas, pjesëmarrja e votuesve tashmë e ka kaluar për 70 për qind numrin e përgjithshëm të votave në zgjedhjet e vitit 2016. Në Georgia, disa kanë pritur në rresht për më shumë se dhjetë orë për të votuar. në Ëisconsin është shënuar numër rekord i votave të hershme me 1.1 milion njerëz që e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë deri tani.
Pandemia e ka ndryshuar edhe traditën e votimit dhe efektet e saj po ndihen ende. Amerikanët mund të jenë të detyruar që të presin me ditë apo javë të tëra për të kuptuar se kush i ka fituar zgjedhjet për shkak se do të nevojitet më shumë kohë që të numërohen miliona vota të dërguara me postë.