Pjetër Nrecaj e pranoi para gjykatës fajësinë për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës në gusht të këtij viti në fshatin Brekoc të Gjakovës.
Megjithatë, në seancën gjyqësore ndaj tij në Gjykatën Themelore të Gjakovës nuk u prezantua marrëveshja mbi pranimin e fajësisë.
Nrecaj u soll i prangosur në seancën në të cilën avokatja e tij dhe prokurori i rastit thanë se kjo marrëveshje nuk është arritur për shkaqe procedurale.
Pjetër Nrecaj akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, pasi që dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij 9 vjeçare.
“Jemi në përpjekje që kjo çështje të përfundohet me korrektësi dhe të negociohet pranimi i fajësisë në mes të akuzuarit dhe të prokurorit të çështjes, mirëpo ne nuk jemi ftuar për këtë marrëveshje”, tha Fehmije Zhubi, avokate e Nrecajt.
Ndërsa prokurori Agron Matjani e pranoi se negociatat për pranimin e fajësisë kanë filluar por pa mundur të përfundojnë.