Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet malazeze, ditën e djeshme në Prishtinë ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar që dyshohet se janë të përfshirë edhe në ‘vrasje’.
Policia ka njoftuar se operacioni policor është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.
“Policia gjatë këtij operacioni ka arrestuar katër persona të dyshuar, dy nga të cilët dyshohet se përveç urdhër-arrestit ndërkombëtar për vrasje, dyshohet të jenë përfshirë edhe në veprat penale: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës’”, njoftohet në komunikatë.
Në komunikatë njoftohet se të arrestuarit lidhur me këtë rast janë: M. M. lindur me 1981 mashkull/shtetas i Malit të Zi, J. P. lindur me 1988 mashkull/shtetas i Malit të Zi, S. D. lindur me 1996 mashkull/shtetas i Serbisë, L. Z. lindur me 1995 femër/shtetase e Kosovës.
Policia njofton se me vendim të prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.