Komunat e Kosovës vazhdojnë të mos e përfillin rekomandimin e Avokatit të Popullit për moskushtëzimin e pagesës së tatimit në pronë për regjistrimin e automjeteve.
Kushtëzimi nga ana e komunave me të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t’u lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, është kundërshtuar nga Avokati i Popullit.
Andaj edhe ka deklaruar se një vendim i tillë është i paligjshëm.
Por për institucionet e vendit dëshmia për pagesën e taksës komunale shihet si mundësi për të ndikuar në vetëdijesimin e popullatës për pagesën e tatimit.
Madje, për këtë vazhdon të jetë në fuqi një shkresë drejtuar komunave në vitin 2012, e cila i lejon autoritetet lokale që për interesin publik kanë të drejtë të bëjnë kushtëzime në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, shkruan “Zëri”.
Publikimi i raportit të Avokatit të Popullit lidhur me kushtëzimin nga komunat për pagesën e tatimit në pronë me rastin e regjistrimit të automjeteve nuk ka zgjuar reagimin e institucioneve që u është drejtuar.
Raporti është bazuar në ankesat e pranuara nga Avokati i Popullit lidhur me këto kushtëzime, të cilat zbatohen nga të gjitha komunat në Kosovë, në pajtim me Udhëzimin Administrativ nr. 07/2011, të Ministrisë së Financave(MF), i datës 13 korrik 2011.
“Avokati i Popullit ka parasysh se vjelja e tatimit në pronë është jetike për funksionimin e komunave, por që metodat nëpërmjet të cilave kërkohet të paguhen duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale në pajtim me ligjin. Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar, duke nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe si të tilla nuk mund të aplikohen”, është deklaruar nga ky institucion..