Një person është plagosur në Prishtinë, pas disa të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 në rrugën “Xheladin Kurbaliu”, afër shkollës Teknike.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
“Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën ‘Xheladin Kurbaliu’ në Prishtinë. Një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe i njëjti është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor”, ka thënë Borovci.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat e rastit.